Site icon Telegrafi

Klubeve s’ju garantohet se do të dalin sivjet në Evropë

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) lë të hapur mundësinë që edhe edicioni 2015/2016 të mos vlejë për dalje në Evropë në nivel të klubeve. Në FFK thonë se nuk kanë asgjë të sigurt edhe nëse në kongresin e 3 majit në Budapest të Hungarisë pranohen në UEFA dhe pas dhjetë ditësh në FIFA.

Dhe, në rast se do të ndodhë kjo, atëherë klubet kosovare mund edhe të dëshpërohen, meqë gjatë tërë kohës u është thënë se ky sezon do të jetë i vlefshëm për dalje në garat evropiane.

Në FFK tash nuk mohojnë se mund të bëhet kështu, por shtojnë se nuk kanë garanci për asgjë, shkruan sot Koha Ditore.

“Do të ishte mirë që klubet të marrin pjesë menjëherë, që do të ishte e jashtëzakonshme. Nuk ka asgjë të sigurt. Në këtë drejtim është duke shkuar. Ka vullnet dhe do të ishte e arritur e jashtëzakonshme nëse ndodh kjo”, ka thënë sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu, të martën për gazetën.

Në fakt, në FFK vazhdimisht kanë motivuar klubet se ky do të jetë edicioni i fundit në izolim. Në FFK thonë se do të marrin pjesë edhe në kualifikime për Botërorin 2018 me përfaqësuese, ndonëse shorti është hedhur shumë kohë më parë.

Salihu tregohet i matur edhe për këtë.

“Nuk është me automatizëm sepse shorti është tërhequr më herët, por ekziston vullneti të na ndihmojnë në këtë drejtim. Ne e kemi bërë punën të vijmë deri këtu, por nuk mund të garantojmë asgjë”, ka shtuar Salihu.

Exit mobile version