Site icon Telegrafi

Klubet serbe mbesin në sistemin e Serbisë

Derisa FFK-ja e pranon se asaj i është ofruar një dokument për ta firmosur, nëpërmjet të cilit klubeve serbe i mundësohet edhe më tutje të luajnë, mirëpo të cilën gjë ajo e ka refuzuar, e serbët thonë se ajo tashmë është punë e kryer, pasi që klubet serbe edhe më tutje do të garojnë në garat që Serbia i organizon në territorin e saj, bile atyre shteti serb do ti ndihmoj financiarisht dhe do t’ua përmirësoj edhe infrastrukturën sportive.

Zyrtarët e Federatës së Futbollit të Serbisë, kanë deklaruar se Serbia ka arritur që përmes FIFA-s të i mundësojë klubeve serbe që veprojnë në veriun e Mitrovicës të luajnë në kampionatin serb. Mirëpo, këtë gjë e ka mohuar sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu, sipas të cilit kjo çështje është diskutuar por nuk është marrë asnjë vendim. “Po nga ne është kërkuar të nënshkruajmë një marrëveshje që klubeve serbe t’i mundësohet të luajnë në Serbi, këtë gjë e kemi refuzuar, kështu që ai vendim nuk është marrë fare”, tha Salihu.

Për këtë çështje është deklaruar edhe presidenti i FFK-së, Fadil Vokrri sipas të cilit, nëse e gjithë Evropa i bënë thirrje serbeve të Kosovës të marrin pjesë në zgjedhjet tona, atëherë është logjike që klubet e futbollit duhet të luajnë këtu në Kosovë.

“Këtu nuk ka asgjë diskutabile, nëse serbët kanë votuar në zgjedhjet e Kosovës, logjike është që klubet serbe të luajnë në Kosovë”, ka thënë numri një i FFK-ës. Ndërkohë kreu i FFS-s, Tomislav Karaxhiq thotë se me një marrëveshje klubet e veriut të Kosovës mbesin në sistemin e futbollit serb. “Ne kemi një marrëveshje që të gjitha klubet që janë në regjistruara në Federatën serbe dhe gjenden në Kosovë, mbesin anëtare të plota të Federatës Serbe të Futbollit dhe ato do të funksionojnë në bazë të këtyre propozicioneve të garave”, thotë Karaxhiq.

Minisitri serb i sportit, Vania Udoviqiq ka thënë se prioritet për ministrinë e tij do të jetë investimi në Mitrovicë dhe klubet sportive që aty janë aktive. “Do të shohim se për çfarë kanë nevoje klubet sportive në Mitrovicë dhe pastaj të fillojmë me projekte. Do të fillojmë me përmirësimin e infrastrukturës, e më pas të shohim ti ndihmojnë ato në mënyra të ndryshme. Njerëzit atje kanë nevojë për ndohmë dhe ne do ta bëjmë këtë”, tha Udoviqiq.

Klubet sportive nga pjesa veriore e Kosovës që pas përfundimit të luftës asnjëherë nuk kanë garuar në garat që i zhvillon Kosova. Disa klube serbe ishin kyçur në garat e Kosovës, mirëpo vetëm për disa muaj, si në basketboll dhe futboll. Aktualisht vetëm një klub i futbollit i komunitetit serb garon në ligën e dytë të Kosovës. /Zëri/Telegrafi/ 

Exit mobile version