Klubet pejane për meshkuj kanë dominuar këtë vit, tri nga katër sportet më të mëdha në vendin tonë, duke marr titullin e kampionit.
Peja që njihej për xhudon e saj dhe medaljet olimpike, këtë vit fitoi titullin në basketboll dhe volejboll, ndërsa në hendboll vazhdoi dominimin prej më shumë se një dekade.
Sa i përket sportit më popullor në vend, qyteti i Pejës edhe pse ka një klub me emër të madh si Besa, niveli i këtij klubi është larg se presin tifozët pejanë të futbollit.
KB Peja, kthen titullin pas dhjetë vitesh
Pas ndeshjeve në play-off si në gjysmëfinale, ashtu edhe në finale, KB Peja arriti ta kthej titullin e kampionit pas dhjetë vitesh.
Fillimisht në gjysmëfinale Peja arriti ta eliminojë ish-kampionin KB Golden Eagle Yllin, për të fituar pastaj në finale ndaj KB Trepçës me rezultat 3-2.
Titulli u vendos në palestrën ‘Minatori’ dhe atë pas vazhdimeve, në një dramë të vërtetë që vetëm basketbolli di të sjell.
Më meritori për këtë triumf të Pejës u konsiderua trajneri Rami Hadar, ndërsa lojtarët që do të mbahen në mend gjatë nga ‘Shqiponjat’ janë Arti Hajdari, Jalen Tate, Alban Veseli, Bred Ëaldoë, Arian Qollaku e të tjerë.
KV Peja, mbrojti titullin e kampionit
Peja është shpallur kampione e Kosovës edhe në volejboll për edicionin 2022/23, duke arritur ta mbrojë titullin nga sezoni paraprak.
Këtë gjë e bëri pas një paraqitjeje brilante në ndeshjen e pestë të playoffit të zhvilluar në palestrën “Bill Klinton”, kundër Ferizajt.
Ishin pesë ndeshje spektakolare, të cilat tërhoqën mijëra tifozë në palestrat “Karagaqi” e “Bill Klinton”, përgjatë këtyre pesë përballjeve.
Dominimi absolut në hendboll i Besa Famgas
Besa Famgas ka vazhduar dominimin në Superligën e Kosovës në hendboll, duke fituar titullin e kampionit edhe për edicionin 2022/23.
Në finale të plejofit, Besa Famgas e mposhti Trepçën me rezultat 2:0.
Skuadra pejane ka dominuar tërë ndeshjen dhe shënoi fitore bindëse për titullin e dhjetë rresht.
Futbolli ka prekur fundin
Sporti në të cilin pejanët assesi nuk po arrijnë t’i përsërisin sukseset e viteve të 2000-ta, është futbolli.
Klubi i qyteti KB Besa këtë vit ka garuar në Ligën e Dytë, apo në nivelin e tretë të futbollit kosovar, ku nuk ka arritur ta sigurojë mbijetesën.
Klubi që ka fituar tri herë titullin e kampionit në Superligën e Kosovës, në sezonin e ardhshëm do të bëjë gara në Ligën e Tretë që është niveli më i ulët.
Kishte ndeshje që nuk kishte as lojtarë për të mbyllur takimin, ndërsa klubi është mbajtur nga njerëz që e duan KF Besën, duke dhënë nga xhepat e tyre, vetëm që klubi të mos shuhet. /Telegrafi/