Fati i futbollistit më të mirë në vend, Mentor Zhdrellës, është në duart e Hysit, pasi kontrata e kapitenit me skuadrën nga Merdara është valide edhe për një vjet e gjysmë. Këtë lajm e ka konfirmuar vetë futbollisti Mentor Zhdrella për “Epokën e re”. “Për të ardhmen time vendosin drejtuesit e Hysit, pasi jam lojtar i kësaj skuadre. Kontrata ime është edhe një vit e gjysmë dhe çfarëdo vendimi që marrin drejtuesit e Hysit e respektoj”, ka thënë Zhdrella për gazetën.
Mesfushori është një nga lojtarët më të kërkuar në secilin afat kalimtar në Kosovë, si nga skuadrat vendore ashtu edhe nga ato të regjionit. Llamkos Kosova, Skënderbeu dhe Partizani janë disa nga skuadrat që po e kërkojnë Zhdrellën. “Po, oferta kam si zakonisht, por skuadrat që më kërkojnë duhet të bisedojnë me Hysin, pasi unë jam lojtar i kësaj skuadre”, ka shtuar ai.
Zhdrella ka zbuluar se ka pasur bisedime në mes të drejtuesve të Partizanit dhe atyre të Hysit. “Partizani është një prej skuadrave që po më kërkon dhe drejtuesit e saj kanë biseduar me ata të Hysit. Mirëpo deri tash asgjë konkrete nuk ka”, ka deklaruar Zhdrella.
Në fund futbollisti më i mirë për tre vjet me radhë në Kosovë ka folur edhe për mundësinë që të shpallet sërish më i miri.
“Po pres të shpallem sërish më i miri. Kam pasur paraqitje të mira gjatë gjithë vitit dhe e meritoj një gjë të tillë. Jam futbollisti që po e shkruaj një histori të re në futbollin e Kosovës. Normalisht se më motivon të vazhdoj të punoj edhe në të ardhmen dhe të kam suksese”, ka përfunduar Zhdrella. /Telegrafi/