Telegrafi

Klosi: Shqipëria është e rrezikuar nga sulmet terroriste

Ish-kreu i Shërbimit Informativ Kombëtar, Fatos Klosi, shprehet se Shqipëria është e rrezikuar nga sulmet terroriste, pas goditjes një ditë më parë në Bruksel.

I ftuar në studion e Report TV, Klosi tha se është papërgjegjshmëri të thuhet e kundërta në këtë situatë, apo të aludohet me shumicën myslimane në vend si faktor imun ndaj goditjes së terrorizmit. I pyetur nëse është e rrezikuar Shqipëria nga sulmet terroriste, Klosi përgjigjet:

”Do ishte papërgjegjshmëri të thuhej “Jo” në këtë situatë, apo se jemi në shumicë myslimanë. Terrorizmi ka vrarë në Irak, në xhami kur po faleshin myslimanë të pafajshëm. Për mua terrorizmi nuk ka faktor fetar, por përdoret, është sebepi, jo bërthama e terrorizmit. Shqipëria është e rrezikuar.”

”Kemi ushtarë në Afganistan, në Irak, pra është e rrezikuar. Ata janë të interesuar të bëjë bujë dhe këtë e bëjnë në vendet e mëdha, në aeroporte ku faktori i sigurisë kërkohet të jetë më i lartë dhe ata thonë se ne e thyejmë, jemi profesionistë. Mbase në Shqipëri kjo nuk jep efektin që bën në Paris.”

”Por kjo nuk na bën të jemi të qetë, sa kohë jemi pjesë e NATO-s. Policia dhe Ushtria duhet të merren me këtë çështje, duhet një riorganizim i strukturave të sigurisë që të jemi të përgatitur dhe të mos jemi nesër të papërgatitur. Përgatitja nuk është kurrë e tepërt, duhet ta ndjejmë veten më të sigurt. Hyrja e të huajve në Shqipëri nuk është e vogël. Edhe njerëzit duhet të bëhen më të përgjegjshëm, nëse dikush sheh diçka të dyshimtë, sikur njëherë të kontribuojë. Edhe opozita në këto situata duhet të jetë më e përgjegjshme, sepse duhet mbështetur policia, media duhet të jetë më e përgjegjshme, edhe pse në shumë raste mund të mos dalë gjë”. /Telegrafi/