Sekretari Organizativ i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, thotë se referendumi i 9 prillit për mandatin e kryetarit do të tregojë se në PS vendos anëtari i thjeshtë. Gjatë një takimi me strukturat e partisë në Berat, Klosi ftoi për pjesëmarrje të gjithë anëtarësinë.
“Është dita e marrjes së mendimit të anëtarësisë së Partisë Socialiste. Në 25-vjetorin e partisë kemi objektivin të bëhemi 150 mijë anëtarë, anëtarë jofiktivë, anëtarë aktivë në vendimmarrjen e PS-së. Më 9 prill, PS-ja, si asnjë parti tjetër do dëshmojë se jemi partia ku vendos anëtari”, tha ai.
Klosi tha se proceset e mëparshme të zgjedhjeve në parti kanë dhënë rezultate spektakolare.
“Vijmë nga një proces spektakolar i zgjedhjes së krerëve të organizatave, delegatëve të Kongresit dhe anëtarëve të Asamblesë. Ne kemi struktura te zgjedhura nga anëtari. Jemi gati të dëshmojmë në ditën e zgjedhjeve se kemi bërë reforma për qytetarët në Berat dhe gjithë Shqipërinë”, tha ai. /Telegrafi/