Mbi 92 mijë pacientë janë trajtuar vetëm gjatë vitit 2022 në Klinikën Emergjente të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.
Shërbimi Spitalor Klinik e Universitar i Kosovës njoftoi të mërkurën se kjo klinikë vazhdon të mbetet institucioni më i ngarkuar me pacientë në sistemin publik shëndetësor në vend.
“Sipas të dhënave zyrtare nga kjo klinikë, 92 mijë e 615 pacientë kanë marrë shërbime mjekësore emergjente, gjatë vitit 2022”, thuhet në komunikatën për media.
Kjo i bie që mesatarisht brenda ditës janë trajtuar 253 pacientë.
“Shërbimi Internistik, 26 mijë e 608 pacientë. Shërbimi Kirurgjik, 20 mijë e 671 pacientë. Shërbimi i Reanimacionit, 19 mijë e 809 pacientë dhe Shërbimi i Ortopedisë, 19 mijë e 861 pacientë”, thuhet tutje në njoftim.
Po ashtu, janë kryer 1 mijë e 146 operacione në sallat operative emergjente dhe 5 mijë e 66 intervenime në sallën e vogël të intervenimeve. /Telegrafi/