Gjatë një viti në Klinikën e Neurokirurgjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, kryhen rreth 700 operacione. Ndër to, shumë operacione janë të rralla dhe sfiduese, që zgjasin deri në 10 orë, thonë profesionistët e kësaj fushe.
Kjo klinikë ka vetëm një sallë për operim, ndërkohë që aty ofrohen shërbime të sub-specializuara për intervenime në tru dhe kurriz.
Arsim Morina, neurokirurg, thotë për Radion Evropa e Lirë se prej pas luftës, rastet me tumor e që kanë nevojë për ndërhyrje kirurgjike, janë dukshëm më të shprehura sesa para kësaj periudhe.
“Në Klinikën e Neurokirurgjisë, brenda Qendrës Klinike Universitare, është vetëm një sallë operative. Andaj edhe lista e pritjes së pacientëve është e gjatë, për shkak të pamundësisë për t’i operuar në vetëm një sallë. Po t’i kishim dy salla, numri i pacientëve për operim do të rritej dhe lista e pritjes do të zvogëlohej”.
“Janë rreth 700 operacione që kryhen gjatë një viti në këtë klinikë. Prej tyre shumë operacione janë sfiduese e që zgjasin deri në 10 orë”, bën të ditur neurokirurgu Morina.
Pacientët, ndërkaq, thonë se trajtimin që e marrin në Klinikën neurologjike është në nivel. Njëra nga pacientet e cila sapo ishte operuar nga palca kurrizore, sipas familjarëve të saj, kishte kaluar mirë dhe se ndërhyrja kirurgjike ishte treguar e suksesshme. Motra e saj, Mimoza Sahiti, thotë se trajtimi nga stafi mjekësor ishte korrekt, por problem mbetet mungesa e barnave dhe materialit shpenzues.
“Motra është operuar sot. Me sukses e ka kryer operacionin. Kujdesi ka qenë në maksimum. Ne e kemi blerë vetë materialin shpenzues, madje edhe disa mjaft banale si katetera e disa tjera të lira. Por, barnat tjera, disa qetësues e disa tjera, na kanë thënë se i kanë të gjitha në klinikë”, tregon ajo.
Ndërkaq, neurokirurgu Morina thekson se me barna të listës esenciale qëndrojnë mirë aktualisht, por që përqindja variron. Ai përmend mungesën dhe jofunksionalitetin e aparaturave brenda QKUK-së, të cilat mungesa, sipas tij, po u shkaktojnë probleme pacientëve.
“Barnat esenciale, por edhe ato të tjerat, përqindja është e volitshme shpeshherë, por nganjëherë mungojnë. Kemi më shumë nevojë për rezonancë magnetike, arteriografi, incizimet radiologjike të jenë më të shpejta, pra këto na mungojnë”, thotë Morina.
Albatrit Matoshi, këshilltar i ministrit të Shëndetësisë,Urim Ismaili, thotë se në vitin 2019, do të ketë rritje të buxhetit për shëndetësinë. Andaj, siç thotë Matoshi, nëse marrin kërkesa nga menaxhmenti i QKUK- së për çfarëdo investimi kapital, qofshin ato edhe salla operative, do të shqyrtohen dhe mbështeten varësisht sa u lejon buxheti.
“Në vitin 2019 do të ketë rritje të buxhetit për shëndetësi dhe Ministria e Shëndetësisë ka ndarë një buxhet të veçantë sa i përket projekteve kapitale dhe shtatë spitaleve të përgjithshme në gjithë Kosovën. Sa i përket renovimit të sallave dhe shtimit të tyre, apo krijimit të tyre, si dhe blerjen e aparaturës, ministria do të jetë e hapur që secila kërkesë që vjen prej menaxhmenti për t’i mbështetur në zhvillimin e kapaciteteve të tyre, ta mbështesë në bazë të fondit për aq sa ka mundësi.
Sa i përket shtimit të sallës në Klinikë e Neurokirurgjisë, nëse vjen një kërkesë e tillë, do të shqyrtohet”, thotë Matoshi.
Puna në Klinikën e Neurokirurgjisë ishte tejet intensive këtë javë. Të enjten, një pacienteje i ishte larguar përmes operimit, një tumor që i kishte verbuar syrin. Ky intervenim kirurgjik, cilësohet si mjaft sfidues për nga aspekti neurokirurgjik, kurse operacioni kishte zgjatur nëntë orë.