Në Klinikën e Neurologjisë është përuruar dhoma për trajtimin e pacientëve me Sklerozë Multiple, investim nga Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës dhe kompania Roche, e cila ka dhënë donacion për këtë qëllim.
Kryetari i Shoqatës së Neurologëve të Kosovës, Afrim Blyta, tha se aktivizimi i këtij shërbimi është rezultat i punës 10 vjeçare të një ekipi profesionistësh në Klinikën e Neurologjisë.
Blyta, theksoi mes tjerash, se mjekët janë të përgatitur për të trajtuar raste të tilla, sikurse mjekët në të gjithë botën.
Ndërkaq, Drejtori i Klinikës së Neurologjisë, Nexhmedin Shala, theksoi se dhoma e re do të shërbejë si spital ditor.
Ai u shpreh i bindur që QKUK do ta ketë shumë shpejt edhe repartin e veçantë për trajtimin e personave me Sklerozë Multiple.
Shala falënderoi të gjithë ata që kanë kontribuar për të bërë të mundur funksionalizimin e kësaj dhome.
Kjo dhomë lëshohet në funksion në kuadër të shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Sklerozës Multiple, e cila është shënuar me 31 maj. /Telegrafi/