Telegrafi

Klinika e Neonatologjisë furnizohet me medikamentin ‘Surfaktant’

Sot në Klinikën e Neonatologjisë, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës u bë dorëzimi i medikamentit Surfaktant, donacion ky i bërë i mundshëm përmes bashkëpunimit në mes të Aksionit për Nëna për Fëmijë dhe organizatës ndërkombëtare AmeriCares.

Dorëzimi i më shumë se 200 shishe të medikamentit, mbulon nevojën vjetore të furnizimit me këtë medikament jetëshpëtues, thuhet në njoftim.

“Foshnjat që përjetojnë probleme të frymëmarrjes kanë mungesë të surfaktantit – shtresë e lëngshme brenda mushkërive. Bebet zakonisht nuk fillojnë prodhimin surfaktantit deri disa javë pas lindjes. Pa sasi të mjaftueshme të surfaktantit vjen deri tek kolapsi i mushkërive dhe foshnjat e parakohshme nuk mund të marrin frymë. Andaj, Surfaktanti është thelbësor në parandalimin dhe trajtimin e RDS (Sindromit të Distresit Respirator) dhe redukton shkallën e vdekshmërisë të shkaktuar nga RDS. Gjatë 10 viteve të fundit, donacionet e Surfaktantit kanë shpëtuar jetën e 1,800 foshnjave të lindura parakohe dhe me peshë të ulët në Kosovë”, thuhet në njoftim.

Ardhja e këtij medikamenti jetë-shpëtues në Kosovë është bërë e mundur nga ngjarjet bamirëse të mbajtura në vitin 2017 si ‘Let’s Dance ’ në Prishtinë, ngjarja ‘Meet Us Halfway’ në New York, SHBA dhe ‘ Darka e Diasporës’ në Zvicër.  /Telegrafi/