Site icon Telegrafi

Klinika e Gastroenterologjisë, pa aparatura

Klinika e Gastroenterologjisë ka mbetur pa tri aparatura të rëndësishme, të cilat shërbejnë për ekzaminimin e disa organeve të sistemit të tretjes, e kjo pasi ato janë vjetërsuar dhe janë jashtë funksionit.

Drejtori i Klinikës së Gastroenterologjisë, Zaim Gashi, ka thënë për gazetën “Zëri” se trajtimi i pacientëve në mungesë të aparaturës së gastroskopisë dhe të kolonoskopisë ka qenë shumë i vështirë, derisa ka bërë të ditur që gjatë këtyre ditëve është prishur edhe aparatura e hiperendoskopisë.

Sipas tij, u është dashur që të huazojnë aparatura nga klinikat tjera për t’i trajtuar pacientët, të cilët kanë qenë të hospitalizuar.

“Gastroskopi i ka dy vjet që nuk punon, ndërsa kolonoskopi qe një vit nuk punon. Prej asaj kohe ne i kemi huazuar këto aparatura nga ku kemi mundur, prej Qendrës Emergjente ose prej Kirurgjisë një kohë. Edhe një hiperendoskop, i cili është i paraparë për incizim të zorrës së trashë me të cilin mund të ekzaminohet vetëm 30cm – 40cm e zorrës, edhe ai është prishur për arsye se është aparaturë e vjetër, nuk pritet me të të punohet 15 vjet”, ka thënë ai.

Exit mobile version