Telegrafi

Klinaku porosit Zyrën e Prokurorit të Specializuar: Nuk do t’i mbajmë fshehur skandalet e juaja

Ushtruesi i Detyrës së kryetarit të OVL të UÇK-së, Faton Klinaku, i ka reaguar Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Hagës, pasi këta të fundit e përdorën një deklaratë të tij në debat televiziv si provë për të kundërshtuar lirimin e krerëve të OVL të UÇK-së Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt, që po mbahen në paraburgim në Hagë.

Klinaku, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “po habitet me amatorizmin e Prokurorisë së Specializuar në Hagë”.

“Ne as nuk kemi publikuar e as nuk publikojmë asgjë. Ne ua kemi ofruar mediave për publikim dhe do t’ua ofrojmë përsëri”, ka shkruar Klinaku.

Postimi i plotë i Klinakut:

“Për Prokurorinë e Specializuar në Hagë:

Po habitem me amatorizmin tuaj – Ne as nuk kemi publikuar e as nuk publikojmë asgjë. Ne ua kemi ofruar mediave për publikim dhe do t’ua ofrojmë përsëri.

Nuk do t’i mbajmë fshehur skandalet e juaja sepse nuk e kemi asnjë detyrim për këtë”, ka shkruar ai.

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) , në parashtresën e saj citon deklaratën e Klinakut ku thotë se do të publikojë çfarëdo materiali që i vie nga Specialja, qoftë ai edhe konfidencial, ashtu siç kishin bërë Gucati e Haradinaj.

Në shkresën e saj ZPS ka thënë se Gucati e Haradinaj rrezikojnë 10 vjet burg, dhe sipas tyre duke pasur parasysh gjatësinë e dënimit, lirimi i përkohshëm i tyre nuk do të ishte i preferueshëm.

Nasim Haradinaj e Hysni Gucati  u arrestuan nga hetuesit e Speciales më 25 shtator të vitit të kaluar. /Telegrafi/