Një burrë që porositi një mbajtëse pasaporte në Amazon e mori atë me postë së bashku me një artikull që nuk kishte porositur – një kartë e rreme vaksinimi kundër coronavirusit.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, karta e bardhë me logon e Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) ishte futur brenda mbështjelljes plastike rreth mbajtësit të pasaportës.
Karta nuk ishte e plotësuar, dhe padyshim jo zyrtare.
“Është edhe pak më e madhe se karta e vërtetë”, tha burri nga North Stamford, Connecticut, emri i të cilit nuk u bë i ditur, në zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm të Connecticut William Tong.
Zyrtarët shtetërorë po e marrin incidentin si shembullin më të fundit të problemeve rreth kartave të vaksinës prej letre, të cilat përveçse falsifikohen relativisht lehtë, mund të humbasin, dëmtohen, vidhen dhe shkatërrohen. /Telegrafi/