Site icon Telegrafi

Klaudia Pepa dhe Bora Zemani në krah të Ardit Gjebresë për Kënga Magjike

Tre vite pasi u fitoi zemrat italianëve me performancat mbresëlënëse në “Amici”, Klaudia Pepa kthehet në Shqipëri si prezantuese e festivalit “Kënga Magjike” në krah të Ardit Gjebresë.

Me anë të një statusi në rrjetet sociale, ajo ndau me ndjekësit lumturinë e saj që do të prezantojë këtë festival që e ka dashur shumë dhe se e kishte ëndërr që të ngjitej në atë skenë edhe si balerinë, edhe si moderatore.

Klaudia ishte e dyta prezantuese, që producenti dhe moderatori Ardit Gjebrea zbuloi drejtpërdrejt nëpërmjet një lidhjeje me “Skype” nga Italia në “E Diela shqiptare”. Klaudia i premtoi se do të vijë me një ushtri balerinësh, të cilët do të performojmë në këtë përvjetor të “Kënga Magjike”.

Ndërkohë që Klaudian presim ta shohim në tri netët finale të festivalit, Bora ka filluar me prezantimin e këngëve çdo të dielë. Po cila është marrëdhënia e Klaudias dhe Borës në jetën jashtë skenës? Në fakt, ato janë mikesha, dhe për fillimin e njohjes së tyre ka folur Klaudia, ndërsa tregon: “Me Borën jemi njohur në programin ‘Dance with me’, ku ajo merrte pjesë si konkurrente VIP dhe kemi punuar nga afër. Kemi pasur edhe ‘feeling’ dhe jemi shumë dashamirëse ndaj njëra-tjetrës. Unë di deri tani që do të jemi në krah të Arditit dhe kjo na mjafton”, thotë ajo.

Kujtojmë që “Kënga Magjike”, për Klaudia Pepën, ka qenë gjithmonë një pjesë e bukur e jetës së saj, pasi kur jetonte në Shqipëri, e kemi parë si balerinë me numra specialë.

“Arditi më bëri propozimin që në prill të këtij viti, ku më shihte si një nga bashkëprezantueset në festival dhe dëshironte të më shikonte teksa kërceja në atë skenë e shoqëruar edhe me balerinë italianë, me kolegët e mi tashmë”, thotë ajo.

Sa për suprizën që ka zgjedhur për tri netët në Pallatin e Koncerteve ajo shprehet: ”Unë zgjodha ata më të mirët dhe do të vij me 12 meshkuj e do të kërcejmë një koreografi në natë”.

Mediat italiane e cilësuan Klaudian një sekssimbol të “Amici 2015”, pas famës që ajo po shijon në Itali sot e kësaj dite. Ndërkohë që Klaudia ka eksperincën e saj nga ky eveniment i muzikës shqiptare, për Borën do të përjetohet si herë e parë. Ajo vjen nga një eksperiencë ndryshe televizive, si prezantuese e emisioneve sportive. /panorama/

Exit mobile version