Në një Gala – mbrëmje të organizuar në Hotel ‘Dukagjini’, klarinetisti i njohur shqiptar nga Peja, Sead Muqa-Sei, ka shënuar 26 vjetorin e punës dhe angazhimit të tij muzikor.
Në mesin e më shumë se 400 mysafirëve të pranishëm, miq, kolegë, familjarë e media, në ekranin e madh është shfaqur një dokumentar që ka pasqyruar fillimet e Seit në muzikë, respektivisht në instrumentën e klarinetës, e të cilit i kanë paraprirë përgëzimet e yjeve të estradës nga vende të ndryshme duke u inkuadruar në ekranin e madh.
Me planifikimin e vet protagonistit, manifestimi ka ardhur në kuadër të festave të nëntorit, në respect të festës më të madhe kombëtare 28 Nëntorit.
Kryefjalë e kësaj Gala mbrëmjeje ka qenë edhe lansimi i video-klipit të këngës së të madhes Vaçe Zela, ‘Rrjedhë në këngë e ligjërime’ e kthyer në instrumental nga Sead Muqa, xhirimet e të cilit janë realizuar në 4 shtete shqiptare, Kosovë (Prekaz e Gllogjan), Shqipëri, Mal të Zi dhe Maqedoni.
Me pjesëmarrje kanë nderuar në këtë event, emra të njohur të estradës kosovare, ndër ta Shkëlzen Jetishi-Xeni, Lori, Linda Hakaj, Shyhrete Behluli etj. Nuk kanë munguar as personalitete nga jeta politike. Mbi të gjitha në këtë shënim nuk kanë munugar as shokët e fëmijërisë dhe përfaqësues të SH.K.A.-ve të ndryshme me të cilat Sei ka bashkëpunuar ndër vite.
Sead Muqa – Sei mbetet i vetmi klarinetist që vazhdimisht ka investuar në karrierën e tij muzikore duke duke kultivuar muzikë të mirëfilltë shqipe.
Nga miqtë e pranishëm Sei është vlerësuar në superlative për arritjet e derikëtushme në karrierë.
Këngëtari i njohur, Shkelzen Jetishi – Xeni, duke folur për Telegrafin, për nikoqirin e mbrëmjes mes tjerash ka thënë; “Me Sein kemi pasur bashkëpunime në të kaluarën në kuadër të regjistrimeve festive në Dukagjin. Sei edhe atëherë e edhe tash po ja del ta ruan dhe kultivojë melosin shqip”.
Në dokumentar vlerësime pozitive për punën dhe karrierën e derikëtushme të Seit, kanë dhënë edhe prof. Valton Beqiri, Hivzi Krasniqi, Florent Boshnjaku, Artan Rexhepi, prof. Memli Kelmendi e të tjerë.
Vet protagonisti i manifestimit, Sead Muqa –Sei, ka falënderuar të pranishmit, ata që e kanë mbështetur në rrugëtimin e tij profesional, ku vend të posaqëm i ka kushtuar shokëve dhe familjes,
“Familja që më ka mbështetur për këtë më shumë se çerek shekulli punë, nëna, bashkëshortja dhe fëmijët, pastaj shokët e ngushtë, veçanërisht shoku im Fitim Behluli që edhe sonte e ka pasur barrën e eventit, pastaj të gjithë ata me të cilët kemi punuar për këto vite, patjetër se i kanë meritat e veta. Dhashtë Zoti të kemi shëndet dhe të gjithëve tua kthejë me të mira.”-është shprehur Sei për Telegrafin.
Mbrëmja është hapur me një interpretim muzikor nga ‘Okteti Peja’. /Telegrafi/