Me 26 shkurt në Teatrin “Hadi Shehu” kasti i aktorëve me vetëiniciativë kanë filluar provat për shfaqjen më të re, të titulluar “Kjo është rinia jonë”, të shkruar nga Kenneth Lonergan, një dramaturg dhe regjisor amerikan.
E veçanta e kësaj shfaqjeje është se kjo shfaqje realizohet si një projekt tërësisht aktoresk, pa regjisor, zhveshur nga truqet teatrale – duke vënë në qendër interpretimin dhe bashkëpunimin e aktorëve në skenë.
“Kjo është Rinia Jonë” është një dramë e fuqishme që pasqyron dilemat e të rinjve në një kohë materializmi dhe ndryshimesh të mëdha shoqërore.
Me dialog të mprehtë dhe personazhe komplekse, Lonergan sjell një rrëfim të sinqertë për miqësinë, tradhtinë dhe përpjekjet për të gjetur veten.
Në rolet kryesore do të jenë aktorët Besfort Berberi, Arbies Komoni, dhe Vlora Dërvishi.
Premiera e kësaj shfaqjeje do të bëhet së shpejti. /Telegrafi/