Telegrafi

Kjo është porosia e Hasan Pretenit: Mos i votoni politikanët e korruptuar

Drejtori i Agjencisë Kundër Korruspionit, Hasan Preteni, ka bërë thirrje që të mos votohen politikanët që dyshohen se janë të korruptuar.

Në emisionin “Interaktiv” të KTV-së, ai ka thënë se qytetarët nuk duhet të votojnë politikanët e korruptuar.

Preteni ndër të tjera ka thënë se Agjencia Kundër Korrupsionit, ka bindur Prokurorinë që të ngrit aktakuzë kundër deputetit të PDK-së, Ilmi Reçica për mos deklarimin e pasurisë së tij.

Prokurori Rexhep Maqedonci ka hequr dorë nga ndjekja penale e deputetit të PDK-së për shkak se asnjë fakt nga aktakuza nuk e përmend se qëllimi i të akuzuarit në rastin konkret ka qenë fshehja e lartësisë të së ardhurave të të akuzuarit.

Për shkak të kësaj, Gjykata e ka hedhur poshtë krejtësisht rastin për të, që sipas një dëshmie të Kadri Veselit në Gjykatë më 2012, Elmi Reçica kishte qenë zv. shef i SHIK-ut deri në shuarje të organizatës.

Rasti kishte nisur më 2013 kur Agjencia Antikorrupsion kishte bërë kallëzim penal, sepse Reçica kishte mospërputhje rreth 6 mijë euro në deklarimin e pasurisë.

“Ky është problemi që në aspektin konceptual nuk po pajtohemi me prokurorinë. Për ne është vepër penale mos deklarimi i pasurisë, çdo shkelje e ligjit ne e trajtojmë si korrupsion. Ne e kemi fituar [këtë rast ] se e kemi bindur Prokurorinë që të ngritë aktakuzë, ne e kemi bindur prokurorinë se ka elemente”, ka thënë Preteni.

“Elementi kryesor është prova e qëllimit. Ne çdo shkelje e dërgojmë në prokurori por ata thonë se nuk ka provë të qëllimit. Ne çdo shkelje duhet ta dërgojmë në prokurori”, ka thënë veç të tjerash ai.