Përmes një note verbale dërguar ambasadës së Maqedonisë në Vatikan, Selia e Shenjtë ka sqaruar gabimin e bërë për vendin e lindjes së Nënë Terezës, që në broshurën e përgatitur nga autoritetet e Vatikanit, shkruan ”Shkup, Shqipëri”, transmeton Telegrafi Maqedoni.
”Sekretari shtetërorë e përshëndet ambasadën e Republikës së Maqedonisë dhe dëshiron që të jep sqarim në lidhje me biografinë në gjuhën angleze të Nënë Terezës në broshurën liturgjike për meshën me rastin e kanonizimit të mbajtur më 4 shtator, 2016. Për shkak të gabimit në përkthim të tekstit origjinal në gjuhën italiane, vendi i lindjes është shënuar gabimisht në Shqipëri. Teksti duhej të jetë ‘Tereza nga Kalkuta (Gonxhe Agnes Bojaxhiu) e lindur në Shkup, më 26 gusht të vitit 1910, si fëmija i pestë dhe i fundit i prindërve shqiptarë, Nikolla dhe Drane Bojaxhiu”’, thuhet në notën verbale të Vatikanit dërguar ambasadës së Maqedonisë në Shkup.
Njiherit, Sekretari shtetëror i ka kërkuar falje të sinqerta Maqedonisë për këtë gabim, duke përsëritur vlerësimin për marrëdhëniet e mira që ekzistojnë në mes të Maqedonisë dhe Selisë së Shenjtë./Telegrafi/