Site icon Telegrafi

Kjo është pasuria milionëshe e Nasim Haradinajt, i cili e kërcënoi në Kuvend Aida Dërgutin (Dokument)

Në ditën kur në Kuvend po bisedohej për ndryshimet në Ligjin e Veteranëve, të pranishëm si mysafirë të seancës ishin edhe drejtues të Shoqatës së Veteranëve.

Jo të gjithë po pajtoheshin me ndryshimet që parashiheshin me ndryshimet e Ligjit, që kryesisht kishte të bëjë me kategorizimin e pagave të veteranëve të UÇK-së. Kundër këtyre ndryshimeve ishte deklaruar deputetja nga Lëvizja Vetëvendosje, Aida Dërguti, të cilës ia kishte ndërprerë fjalimin nënkryetari i Shoqatës së Veteranëve, Nasim Haradinaj.

Lexo po ashtu Nasim Haradinaj: Deputetët u treguan arrogantë (Video)

Madje, ai e kishte ofenduar rëndë deputeten, duke i thënë “Ule at gisht se ta shti në gojë”.

Ndërsa, deputetja Dërguti kishte deklaruar se Haradinaj nuk përfaqësonte interesat e veteranëve, por interesat e tij personale.

Lexo po ashtu Tensionohet situata në Kuvend, Dërguti, Hysni Gucatit: Ulu aty, mos fol në emër të Adem Jasharit (Video)

Ai nuk ishte ndalur me kaq. Pas disa ditëve, ai kishte bërë një shkrim në rrjetin social “Facebook”, në të cilin kishte krahasuar punën e deputetëve me lopët e tij, shkruan Periskopi.

“Deputete #Aida Derguti !Me që se mê keni kërkuarë llogari se pse e kemi qitë kollarën; ja po të tregojë. Ketë lopën e parë ne foto që po e shefë, e kam shitë dhe e kam ble kollarën dhe nje zingjir ari si ti që e patët varë në qafë, e po ja qitëshe shallin përmbi ! E keqja është,se une mbeta pa këtë të uruarë dhe prap se prapë nuk mund e shita,sa një pagë të juajën si deputete në parlamentë qe jeni, Po të kisha pagën tuj vetëm te një muaji që merni mbi 2000 €, do kisha ble dy lopë të tilla dhe më kishin mbetë lekët edhe për një rryp të ri…!!”, kishte shkruar ai.

Por, e vërteta del të jetë krejt ndryshe. Në deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit, rezulton se Haradinaj ka një shtëpi në vlerë prej 200 mijë euro, ndërsa vlera e tokës së tij që e ka blerë në vitin 2006, sipas deklarimit në AKK, arrin shifrat e 3 milionë e 700 mijë eurove. Ai po ashtu, kishte deklaruar edhe 75 mijë euro vlerë të tokës bujqësore të trashëguar.

Ai i kishte bërë këto deklarime gjatë vitit 2015, si zyrtar i Komunës së Deçanit.

Exit mobile version