Telegrafi Maqedoni nga sot do të fillojë të publikojë pasurinë e zyrtarëve të zgjedhur nga qytetarët shqiptarë në Maqedoni. Këto tema do të jenë si pjesë e serisë me të cilën Telegrafi Maqedoni do publikojë në mënyrë transparente pasurinë e zyrtarëve të cilët vetë i kanë paraqitur pasuritë e tyre në Komisionin për Pengimin e Korrupsionit.
Si zyrtarë i parë të cilit Telegrafi Maqedoni do t’ia publikojë pasurinë është kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti i cili pasurinë e tijë e ka paraqitur në këtë komision.
Zyrtarisht, Ahmeti ekonomikisht peshon 115.070 euro, ka veturë që vlenë 7000 euro apo 113.821 denarë. Ai ka edhe kartelë për kursime në bankën Komerciale në vlerë prej 758.482 denarë apo 12.333 euro.
Më poshtë ju sjellim edhe detajisht pasurinë e kryetarit të Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti:
-Tokë prej 700 metër katrorë në Shqipëri që kap vlerën e 30.000 dollarëve amerikan apo në kundërvlerë të denarit: 1.635.000 denarë.
-Shtëpi në Kërçovë, me hapësirë prej 254 metër katrorë me vlerë 100.000 dollarëve amerikanë që në kundërvlerë të denarit vlerë prej 5.450.000 denarë.
-Veturë Volkswagen Pollo e vitit 2010 që kap vlerën e 7000 eurove apo në kundërvlerë të denarit: 430.828 denarë.
-Ka kartelë për kursime në Bankën Komerciale prej 758.482 denarë apo 12.333 euro.
Telegrafi Maqedoni ka kontaktuar edhe Artan Grubin, shef i kabinetit të Ali Ahmetit i cili për pasurinë e kryetarit të tijë thotë ”Prona private e Ahmetit dhe e familjes së tij është e paraqitur rregullisht dhe në përputhje me ligjin në Komisionin Anti-Korrupsion. Për çdo ndryshim në posedimet e familjes së Ahmeti, Komisioni është informuar me kohë gjatë marrjes së çdo mandati të ri. Përveç se Ahmeti është Kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim, ai ushtron edhe funksionin e Deputetit në Kuvendin e Maqedonisë pandërprerë që nga viti 2002. Ahmeti vazhdon të jetoj në fshatin e tij të lindjes Zajas të Kërçovës bashkë me vëllezërit dhe familjet e tyre.” shprehet Grubi për Telegrafi Maqedoni.
Telegrafi Maqedoni do të vazhdojë me publikimin e pasurive të zyrtarëve nga të gjithë partive. I ardhshëm është kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi./Telegrafi/