Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se zyrtarët e Njësisë Speciale Intervenuese dhe ajo për Deminim të Bombave kanë të ardhura mujore mesatare mbi 2 mijë e 200 eurove gjatë këtij viti.
Njësia Speciale Intervenuese (NJSI) ka rreth 70 pjesëtarë të cilët operojnë në terren ndërsa ajo e Njësisë për Trajtimin e Mjeteve Eksplozive mbi 10 pjesëtarë.
KALLXO ka siguruar një dokument në të cilin tregohet paga bazë e njërit nga pjesëtarët e Njësisë Speciale Intervenuese.
631 euro e 89 centë figuron paga bazë e pjesëtarit në dokumentin që mban datën 12 tetor 2023.
Ministri ka thënë se mjetet financiare prej 2 mijë e 200 eurove mesatarisht u kanë dalë këtyre pjesëtarëve që ishin sot në protestë gjatë këtij viti.
Mediumi ka biseduar me disa prej pjesëtarëve të kësaj Njësie në lidhje me këtë çështje. Ata thonë se kanë punuar orë shtesë e të cilat janë jashtë normave dhe rregullave por që situata në veri ka bërë që të jenë në detyrë.
Mesatarisht 380 orë shtesë kanë llogaritur disa prej pjesëtarëve të Njësisë Speciale Intervenuese vetëm gjatë muajit të fundit.
Reagimi i ministrit Sveçla erdhi vetëm pak orë pas protestës paqësore të pjesëtarëve të dy njësiteve të Policisë së Kosovës që hynë në kategorinë e njësiteve elite, NJSI-së dhe Njësisë për Trajtimin e Mjeteve Eksplozive.
Të rreshtuar dhjetëra pjesëtarë të këtyre dy njësive sot nga ora 12:00 protestuan para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.
Njëri nga pjesëtarët e njësitit FIT përmes një deklarimi para mediave ka treguar se cilat janë kërkesat e tyre.
I njëjti tha se kërkojnë nga kryeministri Albin Kurti dhe Qeveria e Kosovës që propozimin për shtesat e rrezikshmërisë ta rishikojnë edhe një herë.
Kërkesat e këtij njësiti janë që të kategorizohen si njësi të veçanta dhe të përfshihen në listën e ekspertëve; rrezikshmëria të caktohet në 50% të pagës; si dhe shtesat për kushte specifike të punës.
“Kërkesat tona janë ekonomike dhe sociale, lehtë të realizueshme dhe nuk përfaqësohemi nga askush. Kërkojmë mirëkuptim dhe nuk dëshirojmë që të përdoremi nga askush për qëllime politike. Pakënaqësitë tona nuk datojnë nga dje, por ka që 10 vite që kemi marrë premtime për benefite të cilat na takojnë, mirëpo deri më tani këto premtime asnjëherë nuk janë realizuar”- është thënë në protestë.
“Fillimisht mospërmbushja e kërkesave tona ka qenë mungesa e Ligjit të pagave, mirëpo edhe 9 muaj pas miratimit të këtij Ligji nuk janë marrë parasysh kërkesat tona. Përkundrazi, ka pasur edhe ulje në kategorizimin e rrezikshmërisë, madje shtesë e veçantë të cilën e kemi gëzuar nga viti 2010 u ndalua e tëra”.
Kjo Njësi ka ftuar kryeministrin dhe Qeverinë që të marrin hapa konkretë për realizimin e kërkesave, që i kanë quajtur legjitime.
Më 27 tetor, Qeveria e Kosovës ka propozuar shtesat për pagesat e rrezikshmërisë për Policinë e Kosovës. Shtesat fillojnë nga 45 euro minimumi, deri në 150 euro maksimumi, varësisht nga pozita dhe kategoria.
Njësiti FIT paralajmëroi tash e disa ditë se do të protestojnë për të kërkuar kushte financiare më të mira për shkak të detyrave dhe përgjegjësive që kanë.
Ky njësit është i njohur për trajtim të rasteve me rrezikshmëri të lartë.
Njësia Speciale Intervenuese (NJSI/FIT) hyn në kategorinë e njësive elite të Policisë së Kosovës. U themelua në vitin 2007 ndërsa morën pjesë në operacione të shumta të cilat u shënuan gjatë këtyre viteve.
Duke nisur nga ajo e fundit, sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit, pjesëtarë të këtij njësiti ishin thirrur që të merrnin kontrollin në zonë për shkak të përgatitjeve të tyre dhe pozicionin që mbanin në kategorinë e njësive speciale.
Dy pjesëtarë të këtij njësiti janë lënduar gjatë aksionit kundërsulmues në Banjskë.
Një tjetër ngjarje të cilën e udhëhoqi FIT-i ishte edhe ai i arrestimeve që ndodhën në veri të vendit në muajt e fundit. Ai që bëri bujë të madhë në veri të vendit ishte arrestimi i Millun Milenkoviq i njohur si “Llune”.
Raportet zyrtare të institucioneve në Kosovë e përshkruajnë “Llunen” si një nga drejtuesit e “Mbrojtjes Civile” dhe zëvendëskomandant të “Brigadës së Veriut. Të dy këto organizata cilësohen terroriste në Kosovë me vendim të Qeverisë së Kosovës.
Njësia FIT kishte marrë pjesë edhe në arrestimin e ish-shefit i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, në vitin 2018, kur atij i ishte ndaluar hyrja në Kosovë por që nuk e kishte përfillur këtë urdhër dhe kishte marrë pjesë në një takim në Mitrovicën e Veriut.
Ai u arrestua në një sallë takimesh në Mitrovicë të Veriut për t`u dërguar më pas në stacionin policor në Prishtinë.
Para se të paralajmëronte protestën, Njësia Speciale Intervenuese (NJSI), e njohur edhe si FIT, për shkak të intervenimit të shpejtë por edhe karakteristikave të ndërhyrjeve të tyre në raste ku rrezikshmëria është e lartë, ndërmori një veprim tjetër të cilin e konsideroi si njoftim paraprak për Qeverinë nëse nuk u aprovohen kërkesat.
Ky njësit fillimisht në shenjë bojkoti për trajtim jo të dinjitetshëm e mospërmbushje të kërkesave të tyre, nuk mori pjesë në “Darkën e Lamës”, e cila u organizua nga Zyra e presidentes Vjosa Osmani në kampin e njësive speciale “Enver Zymeri” në Mitrovicën e Jugut.
Disa nga këta pjesëtarë të FIT-it që ishin edhe pjesë e aksionit policor që morën kontrollin në Banjskë të Zveçanit, nuk kishin pranuar që të ulen në tavolinën e “Darkës së Lamës” që u shtrua më 18 tetor 2023.
Njësia Speciale Intervenuese shumë pak shihet publikisht dhe pakkush e di se kush është pjesëtar i saj. Kjo për shkak se të njëjtit vazhdimisht shihen të maskuar.