Autoritetet në qytetin australian të Sidnei urdhëruan mijëra njerëz të evakuoheshin nga shtëpitë e tyre të dielën, pasi periferitë u goditën nga shirat e rrëmbyeshëm.
Rrugët janë bllokuar dhe të paktën 18 urdhra evakuimi janë në fuqi në perëndim të qytetit, një zonë e goditur nga përmbytjet e rënda në mars, përcjell Telegrafi.
“Kjo është një emergjencë kërcënuese për jetën”, paralajmëroi Stephanie Cooke, ministre për shërbimet e urgjencës në Uellsin e Ri Jugor, kryeqyteti i të cilit është Sidnei.
Australia është veçanërisht e goditur nga ndryshimet klimatike, me thatësira të rregullta, zjarre shkatërruese në pyje dhe përmbytje të përsëritura dhe gjithnjë e më intensive.
⚠️ #Flood Warning issued #Hawkesbury #Nepean & #Colo Rivers. Major flooding occurring at #Menangle #Wallacia & #NorthRichmond. Major flooding is forecast for #Windsor #Sackville & #WisemansFerry. See https://t.co/Ss766eSCrL for details & updates; follow @NSWSES advice. #NSWFloods pic.twitter.com/2olz0Yr3i4
— Bureau of Meteorology, New South Wales (@BOM_NSW) July 3, 2022
Me një mot edhe më të ashpër që pritej në ditët në vijim, zonja Cooke përshkroi një “situatë në zhvillim të shpejtë” dhe paralajmëroi se njerëzit duhet të “përgatiten për t’u evakuuar”.
Në Camden, një periferi në jugperëndim të Sidneit, ku jetojnë më shumë se 100,000 njerëz, dyqanet dhe një pikë karburanti tashmë janë përmbytur.
Shërbimet e urgjencës shpëtuan 29 persona dhe u thirrën më shumë se 1400 herë në 24 orët e fundit.
Ndryshe, në mars, përmbytjet e shkaktuara nga stuhitë e forta shkatërruan Sidnein perëndimor, duke vrarë 20 njerëz. /Telegrafi/