Real Madrid siguroi një fitore shumë të rëndësishme të shtunën, duke arritur të kthehet nga disavantazhi për të mposhtur Villarrealin me rezultat 2-1 në ‘La Cerámica’.
Ky rezultat i dërgon ata në krye të La Ligas për momentin, megjithëse mund të tejkalohen nga Barcelona nëse fitojnë ndaj Atletico Madridit të dielën.
Pas ndeshjes, Carlo Ancelotti shprehu një krenari të madhe me performancën e ekipit të tij, veçanërisht duke pasur parasysh përpjekjet maksimale vetëm tre ditë më parë kundër Atlético Madridit në Ligën e Kampionëve.
“Ekipi arriti të përballonte momentin e vështirë, që ishin minutat e para të të dyja pjesëve. Pastaj, pak nga pak, filluam ta mbanim më mirë topin dhe kërkuam mundësi”.
“Dy gola erdhën nga Mbappé, dhe disa kundërsulme që mund të ishin menaxhuar më mirë në pjesën e dytë”.
“Jam shumë krenar. Ishte një ndeshje me kurth, për shkak të gjithçkaje që ndodhi, për shkak të orëve të pushimit dhe për shkak të fuqisë së kundërshtarit, i cili është një ekip i mirë, por ne u lodhëm fizikisht”.
“Ekipi përfundoi i rraskapitur, është krejtësisht normale. Është një fitore që tregon shumë për këtë ekip dhe burimet që ka kjo skuadër”, ka thënë Ancelotti fillimisht.
Tekniku italian ishte shumë i pakënaqur me faktin që ndeshja kundër Villarreal u luajt të shtunën, pasi kjo do të thoshte që ekipi i tij kishte më pak se 72 orë kohë midis dy ndeshjeve.
Ai e bëri të qartë për La Ligën se kjo nuk mund të ndodhë përsëri.
“Shpjegimi është se ky ekip ka diçka speciale, karakter, përkushtim, por nuk mund ta bëjnë gjithmonë, ndonjëherë madje inatosem me ta”.
“Duhet t’i falënderojmë këta lojtarë për përpjekjet e tyre të jashtëzakonshme që nga 3 janari. Edhe më shumë sot. Kjo është hera e fundit që do të luajmë me më pak se 72 orë pushim”.
“Nuk do ta bëjmë kurrë përsëri. Kemi kërkuar dy herë nga La Liga të ndryshohet orari dhe nuk ka ndodhur asgjë. Kjo është hera e fundit që luajmë një ndeshje pa 72 orë pushim. Nuk do të luajmë nëse ndodh përsëri”, përfundoi ai./Telegrafi/