Barcelona ka marrë një fitore me shumë vuajtje ndaj Deportivo Alaves me rezultat 2-1.
Mysafirët ishin në epërsi pas 45 minutave të para 0-1, por katalunasit u rikthyen falë dy golave nga Robert Lewandowski në pjesën e dytë për të marrë tre pikët.
Pas ndeshjes trajneri i Barcelonës, Xavi Hernandez ka zbuluar edhe arsyen se pse Barcelona nuk po luan mirë dhe ka pasur disa rezultate negative si humbja në Ligën e Kampionëve nga Shakhtar Donetsk.
Tekniku katalunas ka thënë se kritikat nga mediat kanë prekur ekipin dhe ato po ndikojnë në lojën e skuadrës së tij.
“Kur flas për atë që e rrethon Barçën , nuk e them për tifozët, e them për shkak të shtypit”, tha Xavi për mediat pas fitores 2-1 kundër Alaves .
“Janë kritikat nga shtypi që prekin lojtarët dhe kjo është arsyeja pse ne nuk luajmë shumë mirë. Në pjesën e parë kundër Alaves, u thashë që të qetësohen”.
“Nuk kam asnjë dyshim që kritikat nga shtypi prekin ekipin. Më ka ndodhur mua si lojtar dhe e shoh edhe tani. Ka një atmosferë negative që na dëmton. Gjithçka që thuhet në shtyp ndikon te lojtarët. ” ai shtoi.
Pas rezultateve të fundit, po flitet për një lloj ‘krize’ te Barcelona. Xavi vazhdon të thotë se mediat i ekzagjerojnë gjërat për të dëmtuar edhe më shumë skuadrën. /Telegrafi/