Site icon Telegrafi

Kivit e Korishës

Sektori i bujqësisë ka potencial të madh për të kultivuar kultura të reja bujqësore dhe kultura, të cilat në të kaluarën vendi ynë ka pasur mundësinë t’i ketë vetëm nga importi. Shumë kultura kanë filluar të kultivohen edhe në vendin tonë, sidomos pas futjes së organizatave ndërkombëtare, të cilat kanë përkrahur kryesisht kulturat bujqësore, të cilat në të kaluarën nuk janë kultivuar në vendin tonë.

Një rast specifik është edhe ai i një fermeri nga Komuna e Prizrenit, i cili tash e disa vjet ka filluar të merret me kultivimin e kivit. Kjo kulturë është besuar se kultivohet vetëm në vendet tropikale, por që ky fermer e ka dëshmuar të kundërtën.

Ramë Muqaj nga Korisha e Prizrenit, ka treguar për revistën “Ekonomia” se para disa vjetëve, për ta shuar kureshtjen e tij, ka nisur të kultivojë kivin. Ai thotë se kultivimi i kësaj kulture bujqësore nuk kërkon kushte speciale. “Trupat e kivit, kultivohen bashkë meshkuj dhe femra. Ky kultivim nëse bëhet pa meshkuj, nuk jep fruta dhe mjafton të kihet vetëm një trup mashkulli. Unë kam të kultivuar më herët katër trupa, një mashkull e tri femra”, thekson Muqaj.


Ai tregon se trupi i mashkullit nuk jep fruta, por duhet të jetë i mbëltuar me trupat e kivit femra. “Nga tre trupa, kemi vjelë mbi 300 kilogramë kivi. Vitin e kaluar i kemi mbjellë edhe 8 trupa të reja, por ato nuk kanë hyrë ende në prodhim”, thotë ai.

Ky fermer tregon se, përveç kultivimit të kivit, merret edhe me kultivimin e kulturave të tjera.
E sa për kivi, thotë se nuk e ka problem shitjen. “Për t’i shitur kivit, është shumë lehtë, pasi ne i shesim me shumicë në markete të ndryshme në Prizren. Sezonin e kaluar e kemi shitur kilogramin e kivit me shumicë prej 1 euro”, ka thënën Ramë Muqaj.

Për kultivimin e kivit, sipas këtij fermeri, nuk ka nevojë të përdoren kurrfarë pesticidesh, krejt çfarë nevojitet është ujitja e tyre. Por, Muqaj thotë se edhe kivi në sezonin e pranverës duhet të kitet sikur rrushi.


Fermeri Ramë Muqaj, nga Korisha e Prizrenit, ka treguar se një trup i kivit mund të japë mbi 100 kilogramë fruta. “Këta katër trupa i kam të mbjellë që para 10 vjetëve. Nga viti i tretë japin prodhim kivit”, ka thënë ai.

Ndërkaq, zyrtarët e USAID-it, kanë treguar se në programet e tyre mbështetëse për fermerët, e kanë pasur edhe kulturën e kivit, si produkt për ta përkrahur, por pasi nuk kanë gjetur interes për prodhim në sipërfaqe të mëdha, nuk kanë mundur ta përkrahin.

Sipas tyre, kjo kulturë kultivohet në Prizren, Suharekë, Deçan apo në ndonjë komunë tjetër, por vetëm në raste individuale dhe në kopsht në sipërfaqe të pakta. /Revista Ekonomia/

Exit mobile version