Telegrafi

Kitaroviç: Kroacia do të ndihmojë për shpejtimin e procesit të anëtarësimit të Maqedonisë në BE

Pak vite vonesë në zgjerimin e Bashkimit Evropian kanë krijuar një vakum të rrezikshëm për njerëzit të cilët kanë interesa që të mbajnë vendet jashtë BE-së. Por tani, më në fund, ne mund të shohim zhvillime pozitive dhe vëmendja e Bashkimit Evropian dhe Këshillit Evropian është në rajonin e Evropës Juglindore, tha kryetarja e Republikës së Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitaroviç në një konferencë për shtyp në kuadër të procesit të Brdo-Brijon, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Çdo vend në rrugën euro-atlantike përballet me sfida të ndryshme, secili shtet është në një nivel tjetër kur është fjala për progres. Në emër të Kroacisë, mirëpres vendimin e rekomandimit për fillimin e negociatave për pranimit e Maqedoninë dhe Shqipërinë në BE. Kroacia do të bëjë gjithçka për të përshpejtuar këtë proces”, tha Kitaroviç.

Ajo theksoi se Kroacia mbështet fuqishëm politikën e zgjerimit, duke thënë se faktorët më të rëndësishëm për përparimin e procesit janë sundimi i ligjit, krimi i organizuar, korrupsioni, siguria, institucionet demokratike, reforma e administratës publike dhe forcimi i marrëdhënieve fqinjësore. /Telegrafi/