Telegrafi

Kitaristi i “Queen” lëndohet gjatë punës në kopsht, nuk do të ecë për një kohë

Brian May (Foto: Cole Bennetts/Getty Images/Guliver)

Ylli i grupit legjendar “Queen”, Brian May, ka pësuar një lëndim të pakëndshëm. Kitaristi ishte duke punuar në kopsht gjatë izolimit me ç’rast kishte ndier dhimbje të fortë.

Në një postim në Instagram, ai ka treguar se e ka lënduar muskulin Gluteus Maximus (muskulin e të pasmeve, i cili është muskuli kryesor ekstensor i kërdhokullës).

72-vjeçari është detyruar të shkojë në spital për t’u kontrolluar, ndërsa si pasojë e këtij lëndimi nuk do të mund të ecë për një kohë.

Rokeri ka publikuar fotografi dhe video nga spitali duke thënë se ka dhimbje të madhe dhe do të ketë nevojë për terapi që të flejë i qetë.

Lëndimi i May ka ndodhur pasi “Queen” e publikoi një version të ri të hitit të madh, “We Are The Champions”, me qëllim të grumbullimit të fonteve për OBSH-në në luftën kundër pandemisë së coronavirusit. /Telegrafi/