Site icon Telegrafi

Kishte vdekur në banesën e tij në Vjenë, kufoma e të moshuarit qëndron për dy muaj pasi u “harrua” nga shërbimet e funeralit

Për dy muaj, shërbimet e funeralit të Vjenës në Austri “harruan” të merrnin trupin e një të moshuari i cili kishte vdekur në banesën e tij.

Sipas The Guardian, përcjell Telegrafi, burri 66-vjeçar kishte jetuar vetëm dhe kishte qenë i sëmurë për një kohë të gjatë dhe u gjet i vdekur në banesën e tij më 11 nëntor nga një fqinje që e kishte ndihmuar atë.

Fqinja e të moshuarit tha se ajo njoftoi policinë për vdekjen e tij pasi nuk ishte në dijeni për ndonjë mik apo edhe familjar. E njëjta më pas supozoi se atij iu ishte dhënë funerali i duhur – por pësoi tronditje kur, më 27 janar shoqëroi një noter për të kërkuar testamentin e 66-vjeçarit dhe pa që trupi ishte në të njëjtin vend.

“Ky është një kombinim i pafat i rrethanave dhe një problem komunikimi midis ekipit që vërteton vdekjen e tij dhe shërbimeve të varrimit”, tha Nikolaus Salzer, drejtor i qendrës sanitare të qytetit.

Salzer tha se ai kishte filluar një hetim të brendshëm për atë që ai e quajti rast të paparë. Të kontaktuar nga AFP, drejtorët komunalë të funeraleve thanëse ata ende nuk kishin caktuar një datë për varrimin e të moshuarit.

“Ne jemi duke u përpjekur të zbulojmë nëse ka ndonjë anëtar të familjes që dëshiron ta organizojë funeralin e tij”, tha zëdhënësi  Florian Keusch. Nëse nuk mund të gjenden të afërmit, varrimi do të organizohet nga qyteti. /Telegrafi/

Exit mobile version