I ikur nga Shqipëria në Shqipëri, për shkak të ndjekjeve policore, në vitin 1991, gjatë aktivitetit tim në Tiranë, takova artistin Minella Borova të cilin kur e shikoja në rolet e filmave përmes TVSH, nuk e kisha menduar se do të vinte dita ta takoja për së afërmi. Të bisedonim. Dhe, që në fillim, biseda më të “rrëshqiti” në mënyrë miqësore. I afërt, i hapur, miqësor dhe shumë i thjeshtë, jo si shumë aktorë të tjerë arrogant, të cilit mohonin të kaluarën në mënyrë cinike duke mos kuptuar se bashkë më të kaluarën po mohonin edhe veprat dhe krejt veten e tyre. Me një kulturë sjelljeje e me një fjalor shumë të kujdesshëm, ai filloi të më tregojë gjëra që lidheshin me Kosovën!
Më vonë, gjatë takimeve të përditshme, Minella na mbështeti e na inkurajoj në rininë eurosocialiste, që nga themelimi, për vepra ndryshimi. I tregova që kisha lexuar një intervistë të tij për gazetën “Bashkimi”, kur ai papritmas më tha se edhe unë kam lexuar shkrime tua në atë gazetë! I befasuar për “memorien” e tij, e pyeta se për ç’arsye filmi aktual është larg filmit të kohës së “diktaturës”? Dhe, mësova nga ai që “rënia” e nivelit ishte “artificiale”, sepse janë po ata kineastë e regjisorë dhe aktorë që kanë krijuar dhe interpretuar dikur, por atëherë shteti nuk lejonte prodhime te dobëta. Regjisorët e aktorët detyroheshin që me javë të përsëritnin një “insert” filmik derisa dilte i arritur!
Se di pse tani po më kujtohet momenti kur pas kongresit te rinisë eurosocialiste, ai u ofrua kur unë isha duke biseduar me një vajzë korçare! “Haki”, më tha ai, “në të kaluarën dashuritë i fillonim kështu, në kongrese, aksione vullnetare e vende të tjera, të panjohura për ditët e sotme”!
Një moment tjetër ishte takimi me të në rrugë. E pash me dorë të lidhur me fasha! Duke më treguar që ishte përplasur me biçikletë me një këmbësor, e pyeta se a ke qenë te mjeku menjëherë! “Për fat”, tha ai, “e kam gruan mjeke”, dhe qeshi me një buzëqeshje që nuk munda të mos e kujtoj kur mora vesh lajmin e vdekjes së tij!
Kur mora vesh arratisjen e tij në një vend të largët (në vendin ku vdiq Zef Serembe), mu duk sikur diçka i mungonte Tiranës: njeriu aq i njohur që jeta i kishte falur një biçikletë si mjet udhëtimi. Një njeri pra aq i njohur në gjithë vendin për veprat e tij filmike, nëpër rrugët e Tiranës vlerësohej i barabartë me shitësit e qebapëve! Aq i bënte njerëzve a ishte ky një qenie, një qenie njerëzore që personifikonte përmasat e njeriut artist që kishte ndërtuar e mishëruar dhjetëra karaktere nga veprat dramaturgjike skenike e atyre kinematografike dhe njeriut që ndërthurte të kaluarën dhe perspektivat për të ardhmen.
Duke qenë natyrë poeti dhe njeri që kisha provuar jetën në vend të largët, nuk kisha si të mos mendoja, sidomos në ambientet ku çdo ditë e takoja, e te mos t’i i thosha vetes: çfarë të keqe i bëri atdheut ky artist i madh, pse u soll kjo shoqëri në mënyrë kaq indiferente me jetën e aktorit që i kontribuoi aq shumë artit shqiptar?!
Të rrallë janë njerëzit që kur mendoj për ta nuk ndjehem “fajtor” siç ndjehem para këtij artisti! Përballë njerëzve me ndërgjegje s’ka si të mos qëndroj fytyra tij e pafajshme, shpirti i tij i mirë, zemra e tij e dëlirtë, dashuria e tij ndaj të bukurës, përkushtimi i tij për njeriun! Mos respekti aktual për artistët e vërtetë tregon një prapambeturi te cilën nëse duan ta shndërrojmë si të përkohshme, na duhet një luftë e vërtetë me vetveten për të mposhtur mjerimin mendor që gërryen dhe e shkatërron bërthamën e një kombi!
E si të mos më shkoj mendja tani andej kah normalisht nuk do të duhej: vallë kush iu gjend pranë para se të nxirrte fjalët e fundit? A la pas vetes pronë tjetër përveç veprave të tij të pavdekshme artistike? Cili ishte testamenti i këtij njeriu te pazhurmshëm e modest që bëri vepra dhe jetoi i heshtur dhe u degdis pa fjalë larg atdheut, pa u ankuar asnjëherë?!