Telegrafi

I kishte shpallur luftë kartelëve të drogës, politikani meksikan qëllohet nga pas derisa po bënte selfie me një fans (Video)

Një politikan meksikan është viktima e fundit e krimit të organizuar, pasi u qëllua me revole në kokë nga një person që i afrohet tinëzisht nga mbrapa derisa po bënte selfie me përkrahësit.

Fernando Puron, ish-kryetari i komunës së Piedras Negras, po bëhej gati të mbante një debat gjatë të premtes kur u qëllua për vdekje, transmeton Telegrafi.

Kjo vrasje makabre është filmuar nga kamerat e sigurisë, ku shfaqin një burrë me mjekër që kishte kapelë dhe i afrohet nga pas 43-vjeçarit që e qëllon në kokë, por për shkak të përmbajtjeve të rënda videoja është edituar.

Puron mbeti i vdekur në vend, ndërsa autoambulanca që kishte mbërritur në vendin e ngjarjes e ka konfirmuar këtë. Politikani meksikan ishte i njohur për luftën kundër kartelit të drogës Los Zetas.

Gjatë debatit në Piedras Negras, babai i një fëmije ishte planifikuar të bisedonte për luftën kundër bandave, kurse si kryetar komune ka shërbyer nga vitit 2014 deri më 2017.

“E kemi mbyllur çështjen e krimit të organizuar, ua kemi demoluar shtëpitë që i përkisnin Zetas. E kemi rikthyer qytetin nga Zetas që e kontrollonin me armë dhe metoda tjera, dhe ua kemi kthyer qytetarëve”, pati deklaruar kohë më parë Puron.

Karteli Zeta ka filluar të humb fuqinë dhe ndikimin që nga arrestimi i liderit Miguel Trevino Morale i njohur si Z-40, i cili përfundoi në prangat e policisë në vitin 2001.

Që nga shtatori i vitit të kaluar e deri më sot janë vrarë shumë politikanë në Meksikë, ndërsa Puron është i 112-të që e pësoi nga bandat.

Raportohet se njëmijë kandidatë tjerë që synonin poste të rëndësishme kanë hequr dorë nga kandidimi, nga frika se mund të vriten nga këto banda. /Telegrafi/