Një ish-diplomat i lartë i Koresë së Veriut, ka kërkuar falje gjatë ditës së sotme, pasi disa ditë më parë pati deklaruar se lideri Kim Jong Un është shumë rëndë i sëmurë sa që nuk mund të qëndrojë në këmbë, raporton Reuters.
E kjo kërkimfalje po ndodh dy ditë pasi lideri verikorean u shfaq në publik dhe media duke pirë cigare dhe ecur lirshëm, në një ngjarje i rrethuar nga qindra zyrtarë të kabinetit të tij, transmeton Telegrafi.
Kujtojmë që Kim Jong-Un ishte zhdukur nga opinioni dhe nuk kishte pasur kurrfarë paraqitje televizive për më shumë se tri javë, diçka e pazakontë në këtë vend – duke nxitur dyshimet se gjendja e tij shëndetësore është përkeqësuar.
Por të shtunën mediat në Korenë e Veriut publikuan fotografi dhe video të Kim duke prerë shiritin inaugurues të një fabrike.
E zhdukja e tij nga “syri” i mediave kishte bërë që shumë dezertorë nga Koreja e Veriut që kishin ikur në Korenë e Jugut, të spekulojnë se ai edhe mund të ketë vdekur.
E një prej njerëzve që ka spekuluar është edhe ish-ambasadori i Koresë së Veriut në Britani, Thae Yong-ho. Ky ish-diplomat kishte ikur në Korenë e Jugut në vitin 2016.
Në një deklaratë ai tha se ndjen “faj dhe përgjegjësi të rëndë” për pretendimet e tij të pabaza. E një tjetër “dezertor” Jin Seong-ho, kishte deklaruar se madje është 99 për qind i sigurtë se Kim Jong-Un ka vdekur. /Telegrafi/