Site icon Telegrafi

Kishte ardhur nga Brazili, më shumë se 500 kilogramë kokainë gjendet në një ngarkesë kafeje në një fabrikë Nespresso në Zvicër

Më shumë se 500 kilogramë kokainë janë sekuestruar pasi droga u gjet në një ngarkesë me kokrra kafeje të dorëzuar në një fabrikë Nespresso në Zvicër, thotë policia.

Sipas Euronews, përcjell Telegrafi, punëtorët njoftuan autoritetet në Fribourg për një pluhur misterioz të bardhë që gjetën në thasë me kokrra kafeje.

Dhe policia përcaktoi se lënda ishte kokainë.

Më pas ata kontrolluan pesë kontejnerë detarë “të dorëzuar në të njëjtën ditë me tren” ku u gjetën 500 kilogramë drogë.

Transporti vlerësohet të ketë një vlerë rruge prej më shumë se 48 milionë euro.

“Për Fribourg-un, është padyshim një konfiskim i madh, është me të vërtetë mjaft i jashtëzakonshëm”, citohet të ketë thënë Marc Andrey, kreu i sigurisë për Fribourg.

“Është hera e parë që kemi një gjetje të tillë, 500 kilogramë. Mendoj se është gjithashtu një nga konfiskimet më të mëdha në Zvicër, jo më i madhi, por një nga më të mëdhenjtë në Zvicër”.

Hetimi fillestar përcaktoi se dërgesa kishte origjinën në Brazil, tha policia, duke shtuar se kokaina e sekuestruar ishte më shumë se 80% e pastër.

Ndërkohë në një deklaratë, Nespresso tha se substanca nuk ra në kontakt me asnjë nga kafetë apo pajisjet e tyre dhe se i gjithë prodhimi i tyre ishte i sigurt për t’u konsumuar. /Telegrafi/

Exit mobile version