Site icon Telegrafi

Kishin të drejtë tetë klube të luajnë në Evropë – vetëm pesë prej tyre konfirmojnë pjesëmarrjen në kupa evropiane

Pesë skuadra kosovare të hendbollit e kanë konfirmuar paraqitjen në kupa evropiane në edicionin e ardhshëm, 2020\2021. Afati i fundit për konfirmim të pjesëmarrjes ishte në fillim të javës.

Federata e Hendbollit e Kosovës e ka pasur të drejtën e prezantimit me tetë skuadra në Evropë, katër në konkurrencë të meshkujve e katër në konkurrencë të femrave.

Kampioni te hendbollistët, Besa Famgas, është paraqitur për të garuar në Kupën Evropiane (EHF European Cup). Besa e ka pasur të drejtën e garimit në Ligën Evropiane (EHF European League), por ka vendosur për Kupën Evropiane.

Prej klubeve të hendbollistëve edhe Prishtina do të garojë në Kupën Evropiane.

Ndërkohë në konkurrencë të femrave në Kupën Evropiane do të garojnë kampioni, Ferizaj, fituesi i Kupës, Vushtrria si dhe nënkampioni dhe finalisti i kupës, Istogu.

Edhe Ferizaj si kampion e kishte të drejtën e garimit në Ligën Evropiane. Por ka vendosur që të garojë në Kupën Evropiane.

Në fakt për shkak të situatës së krijuar pas shfaqjes së COVID-19, Federata Evropiane e Hendbollit (EHF) ka miratuar kërkesën e federatës sonë që Besa e Ferizaj të garojnë në Kupën Evropiane. FHK-ja i është drejtuar EHF-së me kërkesë të klubeve në fjalë.

Exit mobile version