Dy vëllezër që kishin shkuar në sallën e gjyqit për të ndjekur nga afër procesin e gjykimit të vrasësit të nënës së tyre, kanë përfunduar në pranga pasi kanë kërcyer rrethojat dhe i janë vërsulur të akuzuarit në Ohio.
Dale Williams, 62-vjeç, po priste t’i kumtohej verdikti në Youngstown për vrasjen e 46-vjeçares Elizabeth Pledger-Stewart, kur djemtë e saj sulmuan të akuzuarin të cilin e goditën disa herë edhe pse policët që ishin në sallë po mundoheshin ta vënë nën kontroll situatën, transmeton Telegrafi.
Në ato momente po dëshmonte e bija e viktimës, kur befasisht njëri nga vëllezërit e saj kërceu rrethojën dhe sulmoi Williams, ku menjëherë i doli në ndihmë edhe vëllai tjetër. E për ta qetësuar situatën, policët që ishin në sallë u detyruan të përdorin revolen elektrike (elektroshokun).
E kamerat e sigurisë brenda sallës së gjyqit kanë filmuar momentin kur dy vëllezërit sulmojnë vrasësin e nënës së tyre, dhe konfrontohen me policët që mundoheshin ta mbrojnë të akuzuarin.
Si rezultat i këtij veprimi dy djemtë e viktimës janë prangosur, me ç’rast u është shqiptuar dënimi prej 30 ditësh burgim. E vrasësi është dërguar me urgjencë në spital për tretman. /Telegrafi/