Site icon Telegrafi

Kishin mbetur të izoluar në plazhin e Gjipesë, shpëtohen katër turistët, njëri i dëmtuar

Katër turistë të cilët kishin mbetur të izoluar në një gropë në plazhin e Gjipesë janë shpëtuar nga policia.

Kjo e fundit bën me dije se ditën e djeshme, salla operative e Policisë së Vlorës është njoftuar se katër turistë të cilët po eksploronin zonën, midis fshatit Ilias dhe plazhit të Gjipesë, për shkak të terrenit të vështirë dhe të thepisur, kishin mbetur të izoluar brenda një grope, dhe njëri prej tyre turistëve ishte rrëzuar.

Menjëherë pas marrjes së këtij njoftimi, shërbimet e Policisë, së bashku me shërbimet e zjarrfikëses kanë organizuar punën për t’iu shkuar në ndihmë katër turistëve.

Pas 9 orësh kërkimi, në terren të vështirë dhe në kushtet e errësirës, u bë i mundur lokalizimi i turistëve, të cilët janë nxjerrë fillimisht nga vendi ku kishin mbetur të bllokuar dhe më pas janë transportuar me mjetin e ambulancës, në spitalin e Himarës, për kontroll mjekësor.

Pas kontrollit mjekësor, të katërt turistët janë kthyer në vendin ku ishin akomoduar dhe aktualisht janë në gjendje të mirë shëndetësore. /Telegrafi/

Exit mobile version