Telegrafi

Kishin lënë takim për t’i “zgjidhur” mosmarrëveshjet, arrestohen 11 nxënës në Prishtinë

Foto: Ilustrim

Policia e Kosovës njofton se zyrtarët e stacionit Jugu në Prishtinë, respektivisht të njësitit me rroba civile që operojnë në afërsi të shkollave, kanë parandaluar një konflikt mes disa nxënësve.

Rasti thuhet se ka ndodhur sot rreth orës 13:30, në afërsi të një shkolle në kryeqytet.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, e cila tha se lidhur me rastin janë arrestuar 11 persona.

“Pas marrjes së informatave se personat në fjalë kishin lënë një takim për të “zgjidhur” një mosmarrëveshje mes tyre, ka qenë reagimi i shpejtë i policisë ai që ka mundësuar arrestimin e 11 personave”, deklaroi Ahmeti.

Ajo tutje bëri të ditur se rasti po trajtohet në koordinim me Prokurorin e Shtetit.

“Vlerësojmë lart, kontributin e secilit qytetar dhe i inkurajojmë për bashkëpunim të mëtejmë. Bashkëpunimi juaj me Policinë e Kosovës, po ndikon dukshëm në parandalimin e dukurive negative”. /Telegrafi/