Dymbëdhjetë objekte kulti të periudhës post bizantine në Voskopojë dhe Vithkuq janë klasifikuar mes shtatë vendndodhjeve monument kulture më të rrezikuara në Eeropë.
Evropa Nostra, Organizata Kryesore e Trashëgimisë në Evropë në bashkëpunim me Institutin e Bankës Evropiane të Investimeve ka klasifikuar kishat e dy zonave si mjaft të rrezikuara duke i renditur ato krah monumenteve të tjera si në Austri, Bullgari, Gjeorgji, Rumani, Greqi, Turqi e Mbretërinë e Bashkuar.
Kreu i Fondacionit E shkuara për të Ardhmen Kliti Kallamata tregon se 12 kishat sot përballen me një spektër të gjerë problematikash duke nisur nga amortizimi struktural, degradimi i afreskeve dhe vjedhjet çka sipas tij ngre domosdoshmërinë e ndërhyrjes
“Këto kisha që për ne kanë një vlerë unikale janë në një gjendje jo të mirë, duke parë gjendjen e tyre ne i nominuam për t’i futur në këtë listë, në mënyrë që pas kësaj të fillojmë të hapin programe për restaurimin e tyre. Këto vuajnë pasi nuk ka pasur restaurimi prej vitesh. Është një grup kishash që kanë lidhje me njëra-tjetrën”, u shpreh Kliti Kallamata, kreu i fondacionit “E shkuara për të ardhmen”.
Ky klasifikim duket shpresëdhënës pasi parashikon ndërhyrje në këto objekte Monument Kulture të cilat kanë vlera të veçanta për trashëgiminë tonë kulturore. /Top Channel/