Site icon Telegrafi

Kisha e Shën Kollit, me afreske të Onufrit dhe Shpatarakut

Kisha e Shën Kollit, në fshatin Shelcan të Elbasanit do t’i nënshtrohet restaurimit, pas evidentimit dhe dokumentimit të problematikave nga ana e specialistëve të Institutit të Monumenteve të Kulturës.

Specialistët kanë kryer një inspektim ku kanë evidentuar probleme si nga ana strukturore, ashtu dhe degradime të materialeve.

Nga ndërtesa e vjetër në këtë Kishë, më e rëndësishme mbetet veshja e brendshme me afresket e piktorëve të mesjetës Onufri dhe Kostandin Shpataraku.

Kisha e Shën Kollit në Shelcan përbën një nga tipologjitë e para ndërtimore të arkitekturës pasbizantine në Shqipëri dhe riparimi i fundit është bërë në vitin 1988 kur u bë restaurimi i gungës dhe hajatit, por mbeti pa rindërtuar këmbanorja.

Kisha është njënefshe me hajate të vona, sot të zbuluara, nga jugu dhe perëndimi. Kisha është me dysheme me pllaka guri të çrregullta, ndërsa është e mbuluar me çati me kapriata pa tavan, restaurim i vitit 1969. Naosi ndahet nga ambienti i altarit nga një iconostas prej muri të pikturuar. Ai ka dyer, një në qendër dhe një në anën veriore.

Me përjashtim të murit lindor të kishës, muret e tjera janë të suvatuara, kështu që nuk dallohet teknika e ndërtimit të tyre.

Vizitori gjen në ikonat e Onufrit të pikturuar nën maskë shenjtorësh banorë të trevave të shpatit gjë që shprehet me gjallërinë dhe sytë shprehës të të pikturuarve, me të kuqen karakteristike të Onufrit.

Kjo kishë disa herë në vit, por kryesisht në vigjilje të pashkës mbledh disa qindra besimtarë jo vetëm nga Shelcani, por edhe nga fshatrat përreth që nga Kryezjarthi, Trepshenishti e deri nga fshatra të thella të Shpatit.

Kisha e Shën Kollit vazhdon të konsiderohet si një perlë që duhet mbrojtur nga çdo dëmtim. Është edhe ky interesim i banorëve që kjo kishë vazhdon të qëndrojë në këmbë për t’i shërbyer besimtarëve dhe turistëve të shumtë. /ata/

Exit mobile version