Telegrafi

Kisha e Ristozit në Mborje, në fazën e fundit të restaurimit (Video)

Në Kishën e Ristozit në Mborje të Korçës, që njihet si vend i shenjtë dhe është një nga objektet e kultit që është ndërtuar më herët në Ballkan, po vazhdon procesi i restaurimit.

Ministria e Kulturës dhe Instituti i Monumenteve po investojnë në fazën e tretë të këtij monumenti të vyer bizantin.

Duke e shpëtuar nga rreziku dhe duke e nxjerrë nga emergjenca, ky objekt trashëgimie i shtohet listës si atraksion turistik i veçantë për t’u vizituar nga vendasit, por dhe nga turistët e huaj.

Faza e tretë e ndërhyrjes konsiston në çlirimin nga shtresa e betonit të armuar mbi kupolë, pastrimin e trotuareve për të shmangur depërtimin e ujërave të reshjeve në themelet e ndërtesës, si dhe ripërdorimin e tjegullave origjinale në këtë objekt të trashëgimisë.

Ky monument kulture doli nga lista e rrezikut, pas dy ndërhyrjeve emergjente në vitin 2014 dhe 2015.

Ka disa versione për kohën e ndërtimit të saj. Sipas njërit prej versioneve, kjo kishë është ngritur në vitin 896, ndërsa në një version tjetër flitet për gjysmën e shekullit të XIV-të.

Kisha është ndërtuar në rrëzë të Malit të Moravës, në juglindje të Korçës. Afreskët e saj janë realizuar nga piktorë anonimë në vitin 1390. Ajo njihet si vend i shenjtë që ndihmon njerëzit. Në ditën që Krishti mbush 40 ditë nga ringjallja, ky vend i shenjtë vizitohet nga mijëra besimtarë të fesë ortodokse.

Territori ku është ndërtuar kjo kishë ishte në Principatën e Muzakajve. Ajo bën pjesë në grupin e kishave me kryq të brendashkruar pa mbështetje të brendshme. Hapësira qendrore e saj është naosi, i cili ka një planimetri katërkëndëshe kënddrejtë dhe me kupolë. Kisha lidhet me ambientin shtesë (hajatin) me anë të dy portave të hapura, njëra në murin jugor, e tjetra në atë perëndimor të naosit. Lartesia e pikës më të lartë është 7.5 m. /ATA/