Në kuadër të përgatitjeve për realizimin e Simpoziumit të parë Ndërkombëtar “Dita e Infermierëve“, sot u nënshkrua marrëveshje bashkëpunimi në mes të Organizatës për Arsim, Shkencë dhe Shëndetësi “KISCOMS“ dhe Kolegjit “UNIVERSI“.
Simpoziumi “Dita e Infermierëve“, projekt i organizatës për Arsim Shkencë dhe Shëndetësi “KISCOMS”, synon edukimin dhe zhvillimin e vazhdueshëm profesional të profesionistëve dhe studentëve të infermierisë, duke mundësuar akumulimin e kredive të nevojshme për licencim dhe rilicencim. Kolegji “UNIVERSI“ do të jetë bashkëorganizatore në realizimin e simpoziumit.
Sipas një njoftimi, në simpoziumin ndërkombëtar “Dita e Infermierëve”, profesionistët e gjeneratave të ndryshme të infermierisë do të prezantojnë punën e tyre edukative, shëndetësore, hulumtuese e shkencore.
Simpoziumi ndërkombëtar “Dita e Infermierëve”, pos ligjëratave plenare të përzgjedhura, do të ofroj edhe kurse e trajnime profesionale (teorike dhe praktike), si dhe referues të ftuar nga ekspertiza e infermierisë në nivel ndërkombëtar.
Marrë parasysh se simpoziumi organizohet për nderë të Ditës Ndërkombëtare të Infermierëve, ky projekt do të jetë tradicional, duke iu dhënë në këtë mënyrë vendin e merituar dhe respektin ekspertëve të Infermierisë për kontributin në ruajtjen e shëndetit, edukimin e gjeneratave te reja, ngritjen profesionale si dhe afirmimin shkencor dhe hulumtues.
Kjo marrëveshje u nënshkrua nga Rektori i Kolegjit „UNIVERSI“, Dugagjin Sokoli
dhe Drejtori Ekzekutiv i Organizatës për Arsim, Shkencë dhe Shëndetësi „KISCOMS“, Xheladin Ujkani.
Simpoziumi mbahet nga data 11-12 maj dhe pritet të marrin pjesë mbi 1500 pjesëmarrës pasiv dhe aktiv.
Për t’u regjistruar si pjesëmarrës pasiv ose aktiv, aplikoni online në:
http://kiscoms.org/registration-nurseday/
Afati i fundit për dërgimin e abstrakteve është data 1 mars 2017.
Në simpozium mund të marrin pjesë : Infermierët, studentët e drejtimit të Infermierisë dhe drejtimet tjera që ndërlidhen me fushën e Infermierisë.