Site icon Telegrafi

Kirurgu australian operon 17 fëmijë kosovarë, ligjëron edhe në Kongresin e Dytë Klinik

Kirurgu pediatrik nga Australia, Paddy Dewan gjatë qëndrimit të tij një javor në Kosovës, së bashku me ekipin e Klinikës së Kirurgjisë Pediatrike, kanë operuar 17 fëmijë me probleme shëndetësore shumë komplekse. E krahas këtyre operimeve kirurgu i fëmijëve, Dewan ka kontrolluar edhe 300 fëmijë.

Paddy Dewan i cili është një urolog pediatrik në Kosovë po qëndron edhe në kuadër të Kongresit të Dytë Klinik.

Ai thotë se në 11 vitet e fundit e ka vizituar 14 herë Kosovën, ku ka kryer edhe intervenime të shumta.

Dewan shprehet tejet i lumtur që është ftuar për të marrë pjesë në Kongresin Klinik, i cili sipas tij, po mundëson që kirurgët kosovarë të bëhen pjesë e kirurgëve ndërkombëtar.

“Ligjëratat kanë filluar dhe kanë vazhduar për dy ditët e fundit, por unë jam përfshirë në operimin e fëmijëve në spital siç kam bërë për 11 vitet e fundit, në 14 vizita. Ne kemi operuar 17 fëmijë këtë vizitë, dhe mbi 300 pacientë janë trajtuar, por më e rëndësishmja është se janë 300 pacientë me probleme shumë komplekse, ku kam ndihmuar unë, kirurgët dhe ekipi këtu në Kosovë për t’u marrë me ato probleme komplekse.

Ne jemi përmes organizatës “Kind Cuts for Kids”, për të cilën unë udhëtoj, ne ndihmojmë njerëzit në mbarë botën, kështu që ne kemi mësuar gjëra në Kosovë për t’i ligjëruar nëpër botë, dhe kemi mësuar gjëra në të tjera pjesë të botës që ne kemi qenë në gjendje t’i ndihmojmë fëmijët në Kosovë me ato mësime që kemi marrë, kështu që është me të vërtetë një kënaqësi të bashkohem me një kolegj të ri kaq entuziast dhe me ekipin e kirurgëve pediatër këtu, të cilët janë të gatshëm jo vetëm të mësojnë të trajtojnë sëmundjet më komplekse, por mendoj se do të bëhen edhe pjesë e ekipit ndërkombëtar, për të ligjëruar në pjesë të tjera të botës”, u shpreh ai.

Duke kujtuar fillimet e tij të para në Kosovë, kirurgu pediatrik, Paddy Deëan thotë se tashmë Kosova ka përmirësuar infrastrukturën shëndetësore dhe kështu po përmirësohet edhe kujdesi për rastet komplekse të pacientëve.

“Gjëja emocionuese është se ne kemi trajtuar disa probleme që kanë qenë shumë komplekse dhe rezultojnë në një operacion absolutisht që ndryshon jetën. Kemi dalë nga një situatë e cila kur kam ardhur për herë të parë këtu, uji për të larë duart ishte shume ftohtë, ndërsa tani kemi ujë të rrjedhshëm të nxehtë dhe të ftohtë.

Në sallë kur erdha për herë të parë, tavolina e operacionit do të mund të tundej si një karrige lëkundëse. Ndërsa tani, tavolinat e operacionit janë moderne dhe dritat në sallën e operacionit janë më të mirat që kam përdorur ndonjëherë në botë. Pra infrastruktura po përmirësohet, po përmirësohet edhe kujdesi për rastet komplekse. Trajnimi është duke u përmirësuar për t’u siguruar që në të ardhmen Kosova do të ketë jo vetëm kujdesin më të mirë për fëmijët me probleme kirurgjikale, por edhe mësimin e njerëzve të tjerë në pjesë të tjera të botës se si të kujdesen më mirë për fëmijët e tyre”, theksoi kirurgu pediatrik, Dewan.

Kirurgu australian i cili edhe ka qenë pjesë e ligjëruesve të Kongresit të Dytë Klinik të Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës, thotë se përmes këtyre trajnimeve zhvillohet miqësia mes mjekëve, por edhe zhvillohen njohurit për lëmin e kirurgjisë.

“Shumë e rëndësishme, ka dy aspekte shumë të rëndësishme të konferencës, njëri është të dëgjosh leksionet dhe të mësosh nga ata që kanë përvojë të madhe. Por tjetra është zhvillimi i lidhjeve mes kirurgëve në mënyrë që bashkëpunimi të mund të ndodhë, kështu që ju njiheni, në mënyrë që të komunikoni në të ardhmen. Pra, ne përfundojmë me një bashkëpunim të mirë mes njerëzve që zhvillojnë një miqësi, si dhe të kuptuarit e njohurive”, tha Dewan.

Në Kongresin e dytë Klinik të organizuar nga Kolegji i Kirurgëve të Kosovës dhe Oda e Mjekëve të Kosovës, po marrin pjesë mbi 700 persona.

Vitin e kaluar është mbajtur për herë të parë ky lloj kongresi në Kosovë. /KP/

Exit mobile version