Site icon Telegrafi

Kirurgët e Spitalit Rajonal të Mitrovicës në grevë, kërkojnë rritjen e pagave

Po bëhen tri ditë që kirurgët e Spitalit Rajonal të Mitrovicës janë futur në grevë, me kërkesë të vetme rritjen e pagave.

Ushtruesi i detyrës së Drejtorit në Spitalin Rajonal në Mitrovicë, Hamëz Berisha në një prononcim për Telegrafin tha se kirurgët po kërkojnë “rritjen e pagave”.

Ai bëri të ditur se po punojnë vetëm në rastet emergjente.

“Me shkresë zyrtare po bëhen tri ditë, që iu kanë bashkangjitur grevës së kirurgëve në QKUK. Rastet selektive nuk punohet, ndërsa rastet emergjente po. Kërkesa e vetme e tyre është rritja e pagave dhe nuk varet prej meje, po ashtu nuk është kompetencë e imja kjo çështje”, tha Berisha.

U.D Berisha, tregoi po ashtu edhe për takimin që kanë pasur një ditë më parë me kryeministrin e vendit Ramush Haradinaj si dhe me ministrin e Shëndetësisë, Uran Ismajli, të cilët janë zotuar që do të ndërmarrin hapa konkret.

“Dje kishim dhe një takim me kryeministrin, ministrinë, me drejtorët e spitaleve. Kryeministri dhe ministri u zotuan që do të ndërmarrin hapa rreth kësaj çështje, tash të shohim”, u shpreh Berisha për Telegrafin.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj pas një takimi që ka pasur një ditë më parë me përfaqësuesit e institucioneve shëndetësore dhe të komunitetit të mjekëve ka paralajmëruar rritjen e pagave për këtë kategori.

Ndryshe, edhe mjekët e Kirurgjisë Abdominale në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ka një javë që janë në grevë,  me kërkesë për rritjen e pagave. /Telegrafi/

Exit mobile version