Sekretari i Përgjithshëm i LSDM-së, Aleksandar Kiracovski, tha se prapa nesh është viti i lëvizjes ekonomike, më shumë para për qytetarët, përparimi në integrime, një drejtim i qartë i lëvizjes dhe zhvillimit të shoqërisë. Pas 11 vjet izolimi, pasigurie, varfëri dhe regres, Maqedonia sot e di se ku shkon, hapa drejt anëtarësimit në BE dhe NATO, si një partner i vërtetë i botës demokratike.
“Maqedonia mori ftesë për t’u bashkuar me NATO-n dhe së shpejti do të bëhet anëtarja e 30-të e Aleancës. Filloi procesi i skriningut me Bashkimin Evropian dhe në korrik të 2019 mund të fillojnë bisedimet për anëtarësim dhe hapja e kapitujve të parë. Ne i dhamë fund kontestit 25-vjeçar me Greqinë, e cila na ka dërguar në humnerë. Me marrëveshjen e Prespës, identiteti maqedonas, gjuha maqedonase dhe veçantia maqedonase u mbrojtën dhe u siguruan përgjithmonë”, tha ai.
Kiracovski për ekonominë e vendit tha se nëpërmjet rritjes ekonomike dhe realizimin e masave kyçe e kemi ngjallur ekonominë. Ai shtoi se 90.000 familje sot marrin paga më të larta dhe kanë standard më të mirë për jetesë.
Sipas tij viti 2018 është viti i investimeve të huaja rekorde, ndërsa dhe papunësi për këtë vit është zvogëluar në 20.8 për qind, ku për herë të parë në vend ka nën 200.000 persona të papunësuar./Telegrafi/