Programi i klubit të filmit të Kinemasë së Zgjeruar në Kino Lumbardhi në Prizren gjatë muajit mars vijon me përmbledhjen “Cinema of the Displaced: Voices from Palestine”.
Sipas njoftimit të Lumbardhit gjatë këtij muaji do të shfaqen filmat që bëjnë bashkë histori njerëzore prej periudhave të ndryshme përmes fuqisë së kinemasë.
“Prej konflikteve dhe spastrimeve etnike të 1948-ës deri te përplasjet mes të rinjve dhe historisë së një gruaje që dëshiron të kthehet pas te rrënjët e saj, ky program fton audiencën në një udhëtim intelektual. Ndërkaq theksohet, se pavarësisht shtypjes dhe spastrimit etnik, jeta në Palestinë vijon”, thuhet në njoftim, raporton Telegrafi.
Aty theksohet se filmat do të shfaqen më 5, 12, 19 dhe 26 mars duke nisur prej orës 20:00.
Të mërkurën, më 5 mars prej orës 20:00, në kuadër të këtij programi shfaqet një rrëfim kurajoz dhe i paharrueshëm.
“Këtë të mërkurë ndjekim ngjarjet që zënë fill në vitin 1948 në Palestinë. Një baba fsheh vajzën e tij 14 vjeçare në një qilar për ta mbrojtur nga ndodhitë e dhunës dhe shtypjes duke i premtuar se do të kthehet. Çka do të shohim i flet rezistencës së jashtëzakonshme të vajzave dhe qëndresës të pashembullt para ngjarjeve që ndryshojnë perceptimin për botën, si e njohim”, thuhet në njoftimin e Lumbardhit. /Telegrafi/