Telegrafi

King: Maqedonia vend origjine dhe transiti për armë ilegale

Eurokomisari për Siguri, Julian King, mbrëmë i brifoi eurodeputetët për gjendjen e sigurisë dhe bashkëpunimin me vendet e Ballkanit Perëndimor. Maqedonia noton si vend i rëndësishëm i origjinës, transitit dhe destinacion për armë zjarri ilegale, tha komisari.

“Gjendja e sigurisë në rajon është sfidë, por ka edhe ndikim të drejtpërdrejtë ndaj sigurisë tonë në BE. Më mirë është të eksportohet siguri se sa të importohet jostabilitet”, tha komisari gjatë fjalimi të tij duke cekur rëndësinë e bashkëpunimit të përforcuar me vendet e rajonit në pjesën e sigurisë, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Sfidat kryesore të sigurisë për vendet e Ballkanit Perëndimor janë rrjetet e krimit të organizuar, që gjithashtu janë të pranishme në BE, trafikimin me armë, xhihadizmin, por edhe sulmet kibernetike dhe dezinformatat dhe propagandat strategjike, më shpesh me origjinë ruse ose të sponsorizuara nga Rusia.

Maqedonia u përmend në mënyrë eksplicite nga komisari i BE-së si vend i origjinës, transitit dhe destinacion për armë zjarri, edhe pse problemi është i pranishëm në pothuajse të gjitha vendet e rajonit si pasojë e luftërave të viteve të nëntëdhjeta.

Rrjetet e krimit të organizuar janë të pranishëm në rajon, por sidomos në Shqipëri dhe në bashkësitë shqiptare, tha King, duke shtuar se “grupet kriminale shqiptare” janë përfshirë në krime të ndryshme në shtetet anëtare të BE-së, siç janë plaçkitjet, sulme ndaj pronave apo sulme ndaj bankomatëve. Shqipëria gjithashtu është një destinacion për automjete të vjedhura nga BE-ja, si dhe një vend trafikimi me drogë në BE, ka deklaruar King./Telegrafi/