Një djalë 5-vjeç që po qëndronte i varur jashtë dritares së katit të tretë të një ndërtese, është shpëtuar nga një burrë që është fqinj i tij dhe që nuk hezitoi të ngjitet lartë pa pajisje mbrojtëse në ditët e ftohta në pjesën perëndimore të Kinës.
Burri i identifikuar si Ma Yanyun është ngjitur nëpër murin e ndërtesës në minus nëntë gradë celsius, transmeton Telegrafi.
29-vjeçari që punon në hekurudhat kineze dhe që jeton përballë ndërtesës ku kishte ngecur i varur vogëlushi, në momentin që e kishte parë djalin kishte vrapuar dhe kishte filluar të ngjitet nëpër mur.
Ngjarja ka ndodhur më 11 shkurt në qytetin kinez Yili, kurse vogëlushi kishte mbetur vetëm në shtëpi pasi babai kishte shkuar për të paguar faturën e energjisë elektrike. Dhe duke luajtur kishte përfunduar i varur jashtë dritares.
Ishin fqinjët që menjëherë i kishin telefonuar policisë, por Ma kishte vendosur të ngjitet për ta shpëtuar pasi nga çasti në çast mund të rrëzohej sepse po humbte forcën në duar. /Telegrafi/