Telegrafi

Kinezët i paguajnë Berlusconit këstin e dytë

Milani ka njoftuar se grupi i bizneseve kineze ‘Sino-Europe Sports’, sot ka depozituar 85 milionë euro në arkat e Fininvest.

Pas marrëveshjes mes Silvio Berlusconit dhe shoqërisë kineze për shit-blerjen e klubit, të nënshkruar më 5 gusht të këtij viti, sot është përfunduar edhe pagesa e këstit të dytë nga ana e ‘Sino-Europe Sports’.

Në një komunikatë zyrtare, Fininvest ka njoftuar se gjithçka është duke shkuar sipas marrëveshjes dhe në fund të vitit pritet që klubi t’i dorëzohet kinezëve.

“Fininvest njofton se sot ka pranuar shumën prej 85 milionë eurove, nga ‘Sino Europe Sports’, që kompleton këstin e dytë sipas marrëveshjes të arritur për shitjen e AC Milan”. “Ky është një hap i rëndësishëm drejt mbylljes së këtij operacioni që parashihet të përfundojë në fund të këtij viti”, thuhet në njoftimin e kompanisë së Silvio Berlusconit.