Telegrafi

Kinezët interesohen për Trepçën

Një delegacion i kompanisë kineze “Citic Heavy Industries co.,LTD”, i shoqëruar nga kryetari i Komunës, Agim Bahtiri, janë takuar sot me menaxhmentin e minierës “Trepça”, ku kanë biseduar për mundësitë e investimeve në këtë minierë.

Sipas një njoftimi të Komunës së Mitrovicës, kryetari i Unionit të bizneseve shqiptare në botë, Elmi Berisha, tha se unioni para një jave ka mbajtur kuvendin e 2-të.

Të gjitha kompanitë e unionit do të aplikojnë për investime dhe do të lobojnë tek donatorët e tjerë që të vijnë dhe të investojnë në Kosovë. “Jam këtu me përfaqësuesit e dy kompanive kineze nga fusha e minierave dhe mineraleve dhe dy partner të mi biznesmenë irlandez. Në Mitrovicë kam ardhur sepse e njoh kryetarin Bahtiri dhe e kam mik të mirë, prandaj erdha që të bisedojmë dhe të shqyrtojmë mundësit, nëse mund të bëjmë diçka për Trepçën dhe Mitrovicën menjëherë”, citohet të ketë thënë Berisha.

Ndërkaq menaxheri i Ndërmarrjes Publike “Trepça”, Ahmet Tmava, ka thënë se Trepça ka çka tu ofrojë biznesmenëve të huaj, sepse ka resurse të mëdha, sidomos minierat ku mungon mundësia e revalorizimit të resurseve për shkak se Trepça është kompani nën menaxhimin e AKP-së.

“Ne aktualisht prodhojmë koncentrat si produkt final, në mungesë të kapaciteteve përpunuese që më parë kanë ekzistuar, por që më vonë janë shkatërruar. Aktualisht në kuadër të Trepçës, funksionojnë dy miniera në jug dhe dy në veri, ndërsa që ka tri flotacione, do të thotë se janë mundësitë e mëdha për investime”, ka thënë Tmava.

Në fund të njoftimit shtohet se mysafirët nga jashtë me këtë rast shprehen interesimin e tyre për kushtet e investimeve në Kosovë, ndërsa më vonë ata vizituan muzeun e kristaleve në Stan Tërg ku mbeten të mahnitur me kristalet e Trepçës. /Telegrafi/