Telegrafi

Kinezët, 350 mln euro investime në minierat shqiptare

Ardhja para pak kohësh e zëvendëskryeministrit kinez në Tiranë nuk ishte thjesht për të nënshkruar një marrëveshje. Vetë shteti shqiptar dhe pasuritë tona natyrore janë bërë tërheqës për investuesit e huaj, qofshin këta edhe kinezët.

Ata u shprehën të gatshëm dhe me këmbëngulje synuan të merrnin pjesë dhe e fituan tenderin që u zhvillua për marrjen me koncesion të minierës së kromit të Kalimashit.

"Bëhet fjalë për një investim afatgjatë shumë të madh. Kinezët parashikojnë rreth 350 milionë euro. Shqipëria dallohet për kromin. Është vendi i katërt në botë nga sasia e rezervave, por dallohet edhe për nga cilësia e mineralit. Minerali i kromit shqiptar është ndër më të mirët në botë. Firma kineze, në planin e saj të biznesit, garanton sigurimin e jetës së punëtorëve në minierë, përdorimin e një teknologjie moderne dhe një pagë të lartë për punëtorët", ka deklaruar Zv.ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Leonard Beqiri. 

Sipas tij, me këtë koncesion, sigurojmë jo vetëm rivënien në punë të minierës së Kalimashit, por edhe ringjalljen e fabrikës së pasurimit të kromit, që do të jetë një strukturë moderne dhe efikase. /shqip/