Site icon Telegrafi

Kinematografia e Kosovës, në pozitë të çuditshme

Blerta Basholli, regjisorja e filmi "Zgjoi" (Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi)

Regjisorja Blerta Basholli thotë se ia kanë hapur shumë rrugë çmimet që i mori në “Sundance Film Festival” për filmin “Zgjoi”-n. Por, shton se duhen më shumë investime financiare në fushën e filmit.

Filmi “Zgjoi” me regji nga ju është thënë se ka bërë historinë duke rrëmbyer tri çmimet kryesore të “Sundance Film Festival”. Si i keni pritur ju këto çmime?

Ka qenë gëzim i jashtëzakonshëm kur jemi pranuar në festival sepse, për mua, ndoshta pse kam studiuar në Amerikë, “Sundance Film Festival” gjithmonë ka qenë prioritet. E kemi edhe kompaninë që e bën shitjen e filmit dhe i bën marrëveshjet me festivale, por për “Sundance Film Festival” kam dashur të përzgjidhem. Nuk është se kam pritur se do të marrim çmime, edhe pse pas premierës pyetjet e audiencës (online) më kanë bërë të ndiej se njerëzve filmi u ka pëlqyer dhe u ka lënë përshtypje. Pas premierës na kanë treguar se kemi marr çmimin e regjisë që për mua ka qenë çmim i jashtëzakonshëm. Jam ndierë e nderuar dhe normalisht e emocionuar se, kur konkurron, ke një shpresë, por nuk kemi qenë të sigurt e as që kemi besuar se do ta marrim çmimin. Të nesërmen na kanë treguar edhe për dy çmime të tjera.

A ju kanë hapur rrugë të reja këto çmime?

Po, sepse kemi pasur shumë takime dhe ende vazhdojmë të kemi takime, kryesisht me Amerikë. Jemi duke diskutuar edhe me disa kompani në Evropë. Momentalisht e kam bërë ekipin rreth vetes, një menaxher dhe tre agjentë, të cilët do të më gjejnë punë në filma dhe në seriale.

Sipas jush, ku ndodhet sot kinematografia e Kosovës?

Kinematografia e Kosovës është në një pozitë të çuditshme. Kjo për shkak se përzgjidhen projekte shumë të mira dhe po kanë sukses secili, jo vetëm filmi “Zgjoi”. Mirëpo, fondet që jepen nga Qendra Kinematografike nuk janë të mjaftueshme dhe kjo mendoj se është goxha problem. Neve na i ka dhënë 140 mijë euro. Zvicra ka hyrë me ne në bashkëprodhim. Na i ka dhënë 100 mijë euro. Por, ata nuk kanë interes për të hyrë në bashkëprodhim, sepse faktikisht janë të barabartë me ju në financa – nuk janë bashkëproducentë, por producentë. Kemi pasur fat që kanë hyrë fondet zvicerane, por edhe televizioni. Shtete të tjera, për shembull Franca e Gjermania, nuk duan të dëgjojnë. Kështu e bëni filmin vetëm me shtetet në rajon e me buxhet ultra të ulët. Njerëzit janë lodhur. Nuk po mundemi të formojmë ekip; nuk po mundemi ta formojmë industrinë e as kuadro.

A mund të nxirren më shumë rrëfime për filma nga lufta e Kosovës?

Po, pa dyshim. Edhe si artist, kur ta kërkojnë biografinë, kërkojnë që të kesh një histori dhe iu lë më shumë përshtypje kur keni kaluar në disa sfida të caktuara në jetë në vendin ku jeni rritur. Mendoj se kemi shumë tema si të paraluftës, si të luftës. Zakonisht për film thuhet – por është relative – se pas 50 vjetësh del filmi i mirë se dihen faktet, se je pak më shumë i distancuar prej asaj që ka ndodhur. Mendoj se lufta, në kuptimin e filmave, të jep shumë mundësi. /REL/

 

 

 

Exit mobile version